Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Analiza “post- truth” si mjet për shpërfilljen e fakteve

Artikulli në vijim është një përzierje e pështirë dhe e rrezikshme e politikave “post-truth” (politikat e pas-së-vërtetës) dhe narrativëve koloniale orientaliste, i përdorur në një mënyrë jashtëzakonisht tëdëmshme për Kosovën, njerëzit dhe historinë e saj, me qëllimin e përçimit të një diskursi konservator të ekstremit të djathtë pa pikë respekti për faktet dhe të vërtetën.

Politikat “post-truth” karakterizohen me një thirrje ndaj emocioneve dhe një shpërfillje aktive të fakteve. Njerëzit që i përdorin këto politika shpeshherë as nuk i mohojnë e as nuk i hedhin poshtë faktet, sepse preferojnë të fabrikojnë fakte që i përshtaten më mirë narratives së tyre. Në anën tjetër, Orientalizmi është një lloj diskursi kolonial i përdorur nga Perëndimi, ose Oksidenti, për të përshkruar Lindjen, ose Orientin në mënyrë që ta tjetërsojë atë, duke shpërfillur specifikat dhe dallimet kontekstuale të këtyre vendeve. Orientalizmi zakonisht merret me territoret midis Afrikës së Veriut dhe Azisë së Largët. Është e qartë që ky artikull dhe autori i tij e kategorizon Kosovën si pjesë të “tjetrit”- Orientit. Kjo për shkak të faktit se shumica e popullsisë së Kosovës identifikohet si myslimane, ndaj qasja orientaliste ndaj saj është e zakonshme, veçanërisht nga konservatorët injorantë, të cilët jo vetëm që nuk e kuptojnë Orientin, por as kolonializmin, Ballkanin, shqiptarët dhe kompozimin e tyre shumëfetarë, Kosovën, islamin evropian, ose cilindo islam. Ata gjithashtu nuk e kuptojnë si duhet krishterizmin, mesazhin e tij, manifestimet e tij të ndryshme, ose evolucionin historik.

Me pak fjalë, një kombinim i këtyre dyjave është më i përafërt me një roman të shkruar për një planet apo dimension tjetër, sesa me të vërtetën në fjalë. Sidoqoftë, për shkak të predispozitave të audiencës së këtij lloji të konservatorit të paditur për të patur konfirmime të paragjykimeve të tyre, artikulli rrezikon të bëhet mënyra e vetme përmes së cilës ata formojnë mendimin mbi Kosovën. Kjo mund të sjell pasoja jashtëzakonisht të dëmshme për vendin tonë dhe njerëzit e tij. Megjithatë, autori nuk interesohet për këtë, pasi ai në asnjë moment nuk shqetësohet për të vërtetën, ose për mirëqenien e popullatës kosovare. Për të, Kosova nuk është gjë tjetër veçse një vend që ai mund të përdorë për ta mbështetur narracionin e tij përmes manipulimit të fakteveqë nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën.

 

Artikuj të ngjashëm