Arbëri

Ambasadori italian u bën thirrje qytetarëve të Kosovës të marrin mësim nga Italia

Ambasadori italian në Kosovë, Nicola Orlando, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të zbatojnë masat për luftimin e pandemisë COVID-19 dhe të marrin mësim nga rasti i Italisë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se derisa koronavirusi po përhapet me shpejtësi në Kosovë, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve po e mohojnë virusin apo po e shohin të parrezikshëm.

“Përderisa koronavirusi po përhapet me shpejtësi në Kosovë, më është thënë se një e treta e qytetarëve mohojnë/minimizojnë ndikimin e tij. Në fazën më të keqe në Itali, ushtrisë iu bë thirrje për t’u përballur me varrosjen e numrit dërrmues të viktimave. Ne mund ta shmangim këtë. Vendosni maskën. Ruajeni distancën. Lani duart”, ka shkruar Orlando në Twitter.

Italia është një nga vendet që është goditur më së rëndi nga pandemia, veçanërisht rajoni i Lombardisë. Mirëpo situata është stabilizuar në javët e fundit dhe këto ditë po regjistron shifra edhe më të vogla të infektuarve të rinj se në Kosovë. Në Itali mbi 35 mijë vetë kanë vdekur si pasojë e virusit.