Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ambasadori gjerman mirëpret raportin e Von Cramonit për Kosovën

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka lavdëruar të mërkurën fjalimin e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, të martën.

Rohde ka thënë se Von Cramon ka folur qartë për liberalizimin e vizave, reformat, sundimin e ligjit, si dhe për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

“Mirëpres raportin e Parlamentit Evropian dhe fjalët e qarta të Viola von Cramonit për liberalizimn e vizave, reformat, sundimin e ligjit, zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Deçanin dhe Dialogun në rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Në fjalimin e saj, Von Cramon ka lavdëruar Kosovën për solidaritetin e plotë me Ukrainën dhe për zhvillimin e demokracisë. Ajo ka thënë se “qytetarët e Kosovës e meritojnë të jetojnë në një shtet që gëzon respekt ndërkombëtar e perspektivë të qartë të integrimit evropian”.

Von Cramon ka përsëritur qëndrimin se “pa një marrëveshje normalizimi ligjërisht obliguese mes Kosovës e Serbisë, pranimi në BE nuk do të ndodhë”.

Ajo ka shtuar se për sundim të ligjit kërkohet bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë e respektim i plotë i opinioneve të Komisionit të Venecias.