Arbëri

Ambasadori britanik në Serbi: Modeli i Irlandës së Veriut, një nga zgjidhjet për Kosovën

Ambasadori britanik në Serbi, Edward Ferguson, ka thënë se modeli i Irlandës së Veriut mund të jetë një nga zgjidhjet e mundshme për një kompromis në Kosovë.

Duke komentuar deklaratën e të dërguarit britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, i cili ka thënë se modeli i Irlandës së Veriut mund të jetë mësim për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, ambasadori britanik në Serbi ka thënë se, pasi vetë është nga Irlanda e Veriut, nga marrëveshja e vitit 1998 përfituan të gjitha komunitetet në Irlandën e Veriut.

“Nuk mendoj se Lord Peach ka dashur të thotë se ky është model i thjeshtë për zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por sigurisht ka treguar se me vullnet politik dhe një qasje të mirë është e mundur të zgjidhen edhe mosmarrëveshjet më komplekse në lidhje me sovranitetin dhe identitetin. Një tjetër detaj interesant me Irlandën e Veriut. I gjithë procesi ishte i drejtuar nga lart-poshtë dhe nga poshtë-lart. OJQ-të, veçanërisht ato të grave, luajtën rol kyç në inkurajimin e marrëveshjes dhe sigurimin se nga marrëveshja e paqes të përfitonin njerëzit e zakonshëm, jo vetëm liderët politikë. Për sa i përket situatës në Ballkan, lajmi i mirë është se Beogradi dhe Prishtina ranë dakord për atë që duhet bërë vitin e kaluar në Ohër”, ka thënë Ferguson në një intervistë për “Blicin” serb.

Sipas Fergusonit, problemi është se s’ka pasur progres të mjaftueshëm në zbatim.

“Ne kemi parë përparim të konsiderueshëm në disa çështje. E mirëpritëm marrëveshjen për njohjen e targave dhe vulave doganore, si dhe faturimin e energjisë. Megjithatë, të dyja palët kanë qenë të ngadalta në përmbushjen e detyrimeve më të gjera që kanë marrë. Për shembull Kosova ende nuk e ka formuar Asociacionin, ndërsa Serbia vazhdon të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Marrëveshja e Belfastit apo siç njihet si Marrëveshja e së Premtes së Mirë u nënshkrua në prill të vitit 1998, duke i dhënë fund konflikteve mes palëve kundërshtare në Irlandën e Veriut.

Marrëveshja e Belfastit u arrit pas tre dekadash konflikti. Marrëveshja krijoi dakordim të ri për ndarjen e pushtetit, duke përfshirë ekzekutivin dhe asamblenë, dhe bazohej në një sërë parimesh themelore, duke përfshirë barazinë e vlerësimit të të dy komuniteteve, parimi i pëlqimit që mbështet statusin kushtetues të Irlandës së Veriut dhe e drejta e popullit të Irlandës së Veriut për t'u identifikuar dhe pranuar si britanikë ose irlandezë, ose të dyja, dhe të kenë shtetësi britanike dhe irlandeze.

Marrëveshja e 1998-s e transformoi jetën politike dhe ekonomike të Irlandës së Veriut. Vazhdon të shërbejë si kornizë për paqen dhe prosperitetin.