Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, ka mirëpritur vendimin për anulimin e procesit të emërimit të noterëve.
Këtë ai ia ka thënë ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë një takimi që këta dy e zhvilluan gjatë ditës së sotme.
Lebet i ka ofruar Haxhiut bashkëpunim dhe përkrahjen e shtetit zviceran në të ardhmen.
“Gjatë këtij takimi, Ambasadori Lebet theksoi se Zvicra mbetet e përkushtuar qe t’i avancojë edhe më tej projektet e përbashkëta dhe gjithashtu është diskutuar mundësia e bashkëpunimit edhe në fusha tjera me qëllim të ndërtimit të besimit në drejtësi dhe shtetin e së drejtës. Po ashtu, Ambasadori Lebet ka mirëpritur anulimin e procesit të emërimit të noterëve dhe ka uruar ministren Haxhiu për hapat e parë të ndërmarra drejt procesit të vettingut”, citon MD-ja të ketë thënë Lebet në këtë takim.
Më tej, ministrja Haxhiu ka shprehur vlerësimin e saj për raportin dhe marrëdhënien e mirë që ka shteti zviceran me Kosovën dhe njëherësh ka falënderuar Ambasadorin Lebet për angazhimin e tij në forcimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi.