Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mirëpritur sot zgjedhjen e Shqipërisë për herë të parë anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka përshëndetur marrjen e këtij mandati nga Shqipëria, duke e quajtur arritje të jashtëzakonshme për këtë vend.
“Urime Shqipërisë për një arritje të jashtëzakonshme, fillimin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në histori. Shtetet e Bashkuara mirëpresin të shërbejnë së bashku me Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të trajtuar sfidat më të ngutshme me të cilat përballet sot bota jonë”, thuhet në urimin e ambasadës.
Për herë të parë, 66 vjet pas anëtarësimit në OKB, Shqipëria ulet në tryezën më të lartë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, teksa kjo do të zgjasë në një periudhë kohore deri më 31 dhjetor të vitit 2023.
Edhe
Shqipëria nga sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, premton lobim për Kosovën
Me rastin e kësaj ngjarje të shënuar, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, tha se Shqipëria do ta shfrytëzojë këtë moment dhe për të avancuar çështjen e Kosovës.
“Kjo është një arritje për të cilën duhet të ndihet krenar çdo shqiptar kudo në botë. Duke filluar nga vëllezërit e motrat tona në Kosovë sepse padyshim që Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës, procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare sepse Kosova ka qenë, është e do të jetë një kauzë e shenjtë për Shqipërinë. Do të punojmë për shqiptarët, por do të punojmë edhe për rajonin tonë për të konsoliduar arritjet e dekadave të fundit e për mos ta lënë atë të rrëshqasë drejt destabilizimit e tensioneve. Do të punojmë me aleatët e partnerët tanë për të avancuar së bashku agjendën e prioriteteve tona të përbashkëta, duke konsoliduar kështu akoma më shumë lidhjet e forta që na bashkojnë”, ka thënë Xhaçka.