Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka mirëpritur punën e autoriteteve të Kosovës për gjetjen e mbetjeve mortore në territorin e komunës së Zubin-Potokut.
Në njoftimin e lëshuar nga kjo ambasadë është shprehur mbështetja për familjet e personave që vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-99 në Kosovë, si dhe për përpjekjet për zbardhjen e fatit të tyre.
“Ne mirëpresim punën e autoriteteve të Kosovës për gjetjen e mbetjeve njerëzore në komunën e Zubin-Potokut dhe për të kryer ekzaminime mjeko-ligjore dhe teste të ADN-së për të identifikuar mbetjet”, thuhet në njoftim.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të hënën gjatë prezantimit të raportit përmbledhës të Komisionit Qeveritar për Persona të zhdukur lidhur me gërmimet e zhvilluara në tri lokacione në komunën e Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave, ka thënë se ky numër përkon me atë që njihet si “grupi i intelektualëve”.
Sipas Kurtit, tashmë ka nisur faza e identifikimit, proces që mund të marrë kohë disa muaj.
Ai ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të shtojë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur me Dhunë, të dakorduar në Bruksel më 2 maj 2023, si dhe për hapjen e arkivave shtetërore që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.