Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ambasada Amerikane thotë se nuk mund të komentojë për takimin Thaçi – Putin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbështesin dialogun Kosovë-Serbi, por kërkon që të ketë një konsensus nacional për të arritur përparim.

Ambasada Amerikane në Kosovë, ka komentuar në një farë forme takimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me atë rus Vladimir Putin, ditë më parë në Paris, duke thënë se Kosova, si shtet, ka nevojë që udhëheqësit e vet të kenë frymë bashkëpunimi me të tjerët.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin dialogun si mjet për të arritur normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e që është thelbësore për të ardhmen e Kosovës. Udhëheqësia politike, pa marrë parasysh partinë, duhet të gjejë bazë të përbashkët lidhur me synimet e Kosovës dhe të ndjekë një rrugë përpara, e cila pasqyron interesat e gjithë njerëzve të saj. Ambasada nuk mund të komentojë lidhur me cilat do diskutime që kanë ndodhur në Paris”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për KosovaPress.

Tutje, ata thonë se ‘Kosova ka nevojë të jashtëzakonshme dhe urgjente që udhëheqësit e saj të kenë këtë frymë të bashkëpunimit për të arritur përparim’.

Disa deputetë nga partitë opozitare në Kosovë e kanë kritikuar këtë takim mes Thaçit e Putinit, përderisa pushteti ka thënë se është detyrë e krerëve të shtetit të zhvillojnë sa më shumë takime të tilla me liderë të huaj.

Vetëvendosja ka thënë se duhet të mblidhen në Kuvend e mbi të gjitha të diskutojnë për takimin e presidentit Hashim Thaçi me homologun e tij rus, që për Lëvizjen përbën skandal.

Edhe Thaçi thotë se ka gjetur mirëkuptim me Putinin Video Thaçi thotë se ka gjetur mirëkuptim me Putinin

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se është shqetësues që presidenti Thaçi po zëvendëson aleatët, si Gjermania, me Rusinë.

Por, Arben Gashi i LDK-së, thotë se takimi Thaçi-Putin është në kuadër të detyrave kushtetuese të presidentit që të mbajë takime me përfaqësues të jashtëm, por nëse është diskutuar çështja e territorit, është shkelje.

E zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili vjen nga radhët e PDK-së, ka thënë se ky takim është një ngjarje pozitive dhe njohje e realitetit të Kosovës së pavarur nga ana e Rusisë.