Në të njëjtën linjë me Bashkimin Evropian lidhur me dialogun Kosovë-Serbi thonë se janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndonëse nuk kanë pranuar t’i komentojnë kërkesat e opozitës në Kosovë për përfshirjen e Amerikës në bisedimet me Serbinë, nga Ambasada e Amerikës i kanë thënë KOHËS se e mbështesin procesin e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë pranuar t’i komentojnë kërkesat e liderëve opozitarë drejtuar kryeministrit Albin Kurti për rritjen e përfshirjes amerikane në dialogun me Serbinë.
Por në një përgjigje me shkrim nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, thuhet se janë në një linjë me BE-në për procesin e dialogut.
“SHBA-ja ndan të njëjtin mendimi me BE-në në lidhje me Kosovën dhe Serbinë. Ne mbështesim normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja. Arritja e saj mbetet një përparësi për SHBA-në, siç dëshmohet edhe nga lidhjet e forta që kemi me Kosovën dhe vazhdimi i marrëveshjeve të Uashingtonit nga Administrata e Bidenit”, thuhet në përgjigje.
Koordinimin mes SHBA-së dhe BE-së në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë e kishte konfirmuar edhe zv.ndihmëssekretari i Shtetit amerikan, Matthew Palmer, në një intervistë për “DESK”-un e KOHËS në mars të këtij viti.
“Ne absolutisht ndajmë qëllimin e partnerëve tanë të Bashkimit Evropian për ta shtyrë procesin përpara, specifikisht për ta çuar përpara shpejt, për ta shtyrë para me vendosmëri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të donin të kishte marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ligjërisht të detyrueshme, që hap rrugën e qartë për integrim evropian për dyja, Serbinë dhe Kosovën”, qe shprehur Palmer.
Ditë më parë nga LDK-ja dhe AAK-ja deklaruan se kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti pjesëmarrjen e SHBA-së në dialog. Madje kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmendi edhe emërimin e një emisari amerikan në këtë proces.
Por profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë se në këtë aspekt administrata e re amerikane është më e vëmendshme.
“Kërkesa mund të bëhet por sa realizohet është krejt çështje tjetër sepse SHBA-të i kanë krejt politikat gjeopolitike të cilat ata do të kenë kujdes që po themi kushtimisht të mos ta ofendojnë palën tjetër”, ka deklaruar Arifi.
Sipas tij, ekziston rreziku që kartën e njëjtë ta përdorë edhe Serbia, duke rrezikuar kështu përfshirjen edhe të Rusisë, gjë që do të ishte e dëmshme për procesin.
Në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës, as pas takimeve me disa prej partive opozitare në vend, nuk kanë treguar nëse do t’i marrin parasysh kërkesat e tyre.