Arbëri

“Amaneti” i presidentit Ilir Meta

Pos takimeve, presidenti Meta ka mbajtur fjalim edhe para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Atyre u ka thënë se Shqipëria e Kosova euroatlantike e evropiane duhet t’u lihen trashëgimi gjeneratave të reja. Ai po ashtu u ka bërë thirrje të dyjave vendeve të punojnë më shumë, për të forcuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Të dielën, Meta do t’ia dorëzojë zyrtarisht detyrën e presidentit, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Bajram Begajt.

Adresimi i presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, bëri që si rrallëherë të kishte shtrëngime duarsh të presidentes Vjosa Osmani e kryeministrit Albin Kurti me opozitarët.

Seanca e ftuar në nder të presidentit të Shqipërisë filloi me intonimin e himneve të të dyja shteteve.

Para deputetëve kosovarë, presidenti Meta ka ngritur në piedestal arritjet e Kosovës, madje duke thënë se është bërë shembull për Shqipërinë.

Me këtë rast, ai përsëriti se Shqipëria duhet të bëjë më shumë për Kosovën.

“Shqipëria ka mundësi dhe duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim. Si vend anëtar i NATO-s, si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si vend që sapo nisi negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, Shqipëria ka një hapësirë veprimi ende të pashfrytëzuar sa duhet, në dobi të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe të anëtarësimit të saj në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe rajonale të mundshme”, ka thënë Meta.

Duke folur për rëndësinë e përparimit drejt Bashkimit Evropian, Meta ka deklaruar se Kosovës duhet t’i hiqen vizat e t’i njihet shtetësia nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së.

Presidenti i Shqipërisë ka folur edhe për procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dialogu me Serbinë duhet t’i përmbahet misionit për të cilin u krijua dhe ne duhet të mbështesim këtë dialog si i vetmi mekanizëm që siguron zgjidhje të qëndrueshme, afatgjate jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë por edhe për të gjithë rajonit tonë. Mendoj që ka ardhur koha që mekanizmi i dialogut të revitalizohet, por duke qëndruar në themelet e veta”, ka deklaruar ai.

Në paraqitjen e fundit si president para deputetëve të Kosovës, Meta kishte një mesazh. Nga ligjvënësit, ai u përshëndet me duartrokitje.

“Kjo është trashëgimia që duhet t’ua lëmë brezave tonë, një Shqipëri dhe Kosovë euroatlantike dhe evropiane të bashkuara mes kombeve të lira dhe demokratike”, u shpreh Meta.

Presidenti Ilir Meta, këtë të diel, do t’ia dorëzojë postin e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begajt.

Meta është zgjedhur president i Shqipërisë në prill të 2017-s.