15:40 Deputeti i LV-së, Liburn Aliu, me prejardhje nga Presheva, tha para qytetarëve se Hashim Thaçi po luan me Kosovën, duke dashur ta ndajë atë.
“Thotë se do ta bashkojë Kosovën Lindore e s’do të jap asgjë. Kjo do të thotë veç ndarje të Kosovës”, tha ai.
Aliu tha se Leposaviqi, ka qenë gjithnjë pjesë e Kosovës.
Ka thënë se është Hashim Thaçi ai që po bën pazare me Vuçiqin.
“Në negociata gjithnjë e përmendte Luginën, e fundi negociatave ishte ndarja”, shtoi ai.
Ka kujtuar qëndrimet dhe kërkesat e qytetarëve në Luginë. “Ata duan të bashkohen me Kosovën. Kanë të drejtë në kërkesën e tyre”, tha ai, duke pyetur, “Si mund t’i besohet Thaçit që veç premtime jep”.
“Kemi kërkuar të ketë marrëveshje konkrete mes Thaçit e Vuçiqit, të ketë dokument e jo premtime boshe, mos të luajë ,me ndjenjat e qytetarëve në Luginë”, tha ai.
Me Thaçin, tha Aliu, është e sigurt ndarja e Kosovës.
15:35 Minatori në protestë: Trepça është e ardhmja jonë, nuk mund ta falim
Isuf Boletini, që ka folur në emër të minatorëve në protestën e së shtunës, ka kujtuar grevën e vitit ‘1989.
“Do t’ju kujtoj të gjithëve se në vitin ’89, ne minatorët kemi hyrë në grevë për të mbrojtur popullin dhe territorin e Kosovës. Minatorët kanë ditur ta mbrojnë Kosovën atëherë dhe dinë ta mbrojnë edhe tash. Nuk jemi për trazira, duam një shtet ligjor e të drejtë për të gjithë”, ka thënë ai.
Boletini ka thënë se nuk do të kursehen për të realizuar kërkesat e tyre.
“Trepça është e jona, e popullit të Kosovës. Ajo është e ardhmja e zhvillimit të këtij vendi. Ne nuk mund ta japim të ardhmen tonë”, ka thënë Boletini.
“Unë jam me prejardhje nga fshati Boletin. Ata duan që eshtrat e të parëve tanë t’ia lënë Serbisë. Po duan që eshtrat e Isa Boletinit të mbeten në Serbi. Kyo është krim , ky është copëtimi i Kosovës që na shkatërron historinë dhe të ardhmen, por ne së bashku nuk do ta lejojmë”, ka thënë ai, përcjell Koha.net. “Tash po e kuptojmë pse Thaçi e Rama insistonin që eshtrat e Isa Boletinit të varroseshin në Vlorë. Vlora është e jona po aq sa edhe Mitrovica”, ka thënë ai.
Bogujevci: S’do lejojmë që një njeri të vendosë për Kosovën
15:25 Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, para protestuesve ka thënë se protesta e sotme është tejet e rëndësishme pasi bëhet fjalë për fatin e Kosovës.
“Si popull kemi dhënë shumë për lirinë që e kemi sot, sepse kemi besuar që do të kemi një jetë më të mirë”, ka thënë ajo, duke kujtuar momentet kur ishte e vogël e si u ballafaquan me serbët.
Mes lotësh, “më morën familjen”, tha ajo.
“Duam që qytetarët të trajtohen me dinjitet sepse s’po trajtohen. Është derdhur gjak me dekada për t’’u mbrojtur ky territor, s’do të lejojmë që një njeri të vendos për të ardhmen e këtij vendi”, tha ajo.
15:15 Kanë nisur fjalimet e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas pak pritet të mbajë fjalim edhe lideri i LV-së, Albin Kurti.
Në protestë janë mijëra qytetarë që brohorasin mesazhe të ndryshme.
15:00 Mbushet sheshi “Skënderbeu”, pas pak flet Kurti
Sheshi “Skënderbeu” është mbushur përplot me protestues.
“Me hajna nuk ka shtet”, “Hashim të duam në Dubravë”, “Demokraci”, e thirrje të tjera dëgjohen nga protestuesit. Pas pak, para protestuesve pritet të mbajë fjalim Albin Kurti.
14:30 Mijëra qytetarë kanë mbushur sheshin e Prishtinës, aty ku pas pak, pritet të fillojë protesta paqësore e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Albin Kurti, lideri i LV-së, me praninë e shumë partiakëve të tij e qytetarëve është në pritje për t’u nisur drejt sheshit “Skëndërbe”, dhe të mbajë fjalimin.

14: 05 Nis marshimi i protestuesve
Ka nisur tashmë zyrtarisht protesta e Lëvizjes Vetëvendosje.
Protestuesit janë nisur drejt sheshit “Skëndërbeu”, aty ku lideri i kësaj partie Albin Kurti, pritet të mbajë fjalim.
13: 45 Minatorë të Trepçës në protestën kundër korrigjimit të kufijve
Punëtorët e minierës së Trepçës në Mitrovicë i janë bashkuar protestës së Lëvizjes Vetëvendosje sot, kundër idesë së korrigjimit të territorit me Serbinë.
Aktivistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Nora Fetoshi ka postuar një fotografi ku shihen punëtorët me flamuj të Trepçës dhe flamuj kombëtarë duke marshuar drejt Prishtinës.

Prishtina mbushet me protestues
13:45 Prishtina tashmë ka nisur të mbushet me qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës.
Rrugët duken të mbushura përplot, ndërsa protesta pritet të fillojë në orën 14:00, e cila nisë në oborrin e bibliotekës Kombëtare.




12:24 Sheshi para protestës
Lëvizja Vetëvendosje tanimë ka bërë të gjitha përgatitjet në sheshin “Skënderbeu”, ku ka vendosur edhe binën prej ku do t’i drejtohen protestuesve.

Aty aktualisht janë parë edhe një numër i vogël i policëve.
Protesta nis në orën 14:00, nga Biblioteka Kombëtare për të vazhduar drejt sheshit.
Siç ka njoftuar Lëvizja Vetëvendosje, protesta do të jetë paqësore e madje do të përcillet edhe me muzikë.

11:21 Protestuesit e parë nisen drejt Prishtinës
Tashmë janë nisur protestuesit e parë nga pesë qytete të ndryshme të Kosovës, drejt Prishtinës, ku Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar protestën kundër korrigjimit të kufijve.
Të parët që janë nisur rreth orës 11:00, janë protestuesit nga Dardana, Deçani, Juniku, Peja dhe Sharri.
Pas tyre, në orën 11:30, prite të nisen protestuesit nga Vitia, Istogu, Prizreni dhe Skënderaj. Kurse, në orën 12:00, VV ka organizuar transport për protestuesit nga Podujeva, Drenasi, Gjakova, Gjilani, Hani i Elezit, Kaçaniku, Obiliqi, Klina, Mitrovica, Rahoveci, Shtërpca dhe Suhareka.
Protestuesit nga Shtimja, Vushtrria, Fushë Kosova, Ferizaj dhe Malisheva, do të nisen në orën 12:30, për në Prishtinë. Ndërsa, ata nga Artana dhe Lipjani në orën 13:00.
10:32 Orari i nisjeve nga qytetet tjera për protestën e LV-së në Prishtinë
Protesta e sotme e 29 shtatorit, është thirrur nën organizimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Qëllimi i protestës sipas organizatorëve është shfaqja e kundërshtimit ndaj idesë së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë.
Për ditë me radhë, LV-ja ka publikuar video promocionale dhe ka bërë tubime ku ftoi qytetarët dhe aktivistët në protestë kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve që sipas tyre nënkupton edhe shkëmbim territoresh.
Autobusë falas për aktivistë dhe qytetarët që dëshirojnë t’i bashkohen protestës janë organizuar nga LV-ja me nisje nga secila komunë e Kosovës.
“Të shtunën, me 29 shtator, prej orës 14:00, së bashku do të protestojmë paqësisht e qytetarisht në Prishtinë kundër pazareve me Serbinë, për sovranitetin e vendit”, thuhej në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kësaj proteste i janë bashkuar edhe përfaqësues nga partitë tjera opozitare, e fundit ishte Vjosa Osmani nga LDK-ja.
