Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se rruga e nisur në Deçan, në drejtim të Malit të Zi, do të përfundojë sipas projektit të paraparë. Megjithatë, sipas tij, kjo rrugë ende zyrtarisht nuk është rrugë që çon në Plavë të Malit të Zi.
Rruga e nisur në kohën e Qeverisë Haradinaj, sipas Aliut, është nisur pa marrëveshje me Malin e Zi.
“Kemi pasur takime të shumta me ministrin e Malit të Zi dhe e kemi diskutuar. Fatkeqësisht, s’ka asnjë marrëveshje mes Kosovës dhe Malit të Zi për rrugën. Ajo s’është rrugë. Është rrugë Deçan-bjeshkë sepse është deri në kufi. Do ta kryejmë këtë rrugë, e pastaj do ta shohim sa janë gati në Malin e Zi për ta bërë pjesën tjetër”, ka thënë ai në konferencën për media, mbajtur të martën.
Tutje Aliu ka aluduar se motivi për asfaltimin e kësaj rruge mund të ketë qenë ndërtimi i vilave pa leje.
“Zyrtarisht nuk ka. Tjetër që ish-kryeministri thotë Deçan-Plavë. Zyrtarisht s’ka rrugë të tillë. Pjesa do të vazhdojë siç është projekti. Do të kenë mundësinë në bjeshkë të marojnë edhe vila pa leje përskaj rrugës së asfaltuar siç është e paraparë me projekt, ndoshta ky ka qenë edhe motivi kryesor, sepse s’ka qenë Deçan-Plavë. Po të ishte Deçan-Plavë, do të merrej vesh me Malin e Zi e do të ishte projekti deri atje por ka qenë deri në bjeshkë”, ka shtuar Aliu.
-
Aliu e pranon se shumica e projekteve të mëdha infrastrukturore janë vazhdimësi e ish-qeverive
-
Rrugët Deçan-Plavë e Pejë-Rozhajë diskutohen mes Kurtit e Abazoviqit
-
Projektet infrastrukturore përplasin Aliun me deputetët e opozitës
-
Aliu s’pranon të flasë për arrestimet për korrupsion në ministrinë që e drejton
-
Aliu për raportimet se po hetohet nga Prokuroria: Jam i gatshëm të bashkëpunoj në zbatimin e ligjit