Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

​Aliu nuk shkon në Komision, opozita: Frikësohet nga gjendja në periudhën 2022-2023

Me debate mes opozitës dhe pushtetit është përcjellë mbledhja e Komisionit për mbikëqyrje e financave publike, në të cilën ka munguar ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Opozita ka kërkuar që raporti i auditimit të performancës "Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”, të shqyrtohet në seancë plenare, por një gjë të tillë e ka kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetarja e Komisionit, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se në kabinetin e kësaj ministrie janë dy ministra. Sipas saj, aty po vidhet dhe nuk po punohet.

“Janë 27 persona staf politik, janë dy ministra. Maksimumi i stafit që lejohet është 17 anëtarë. Sot nuk e gjen asnjëri prej tyre të vjen të përballet me gjetjet e Zyrës së Auditorit”, ka theksuar ajo.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka theksuar se ministri Liburn Aliu po ikë nga kjo situatë për shkak të gjetjeve të raportit.

“Ministri është frikësuar nga gjendja e vitit 2022 dhe 2023 dhe kemi punë më shumë për Prokurorinë e Shtetit se sa për Zyrën e Auditorit”, ka deklaruar Beqa.

Deputeti i pushtetit, Halil Thaqi, ka thënë se nuk do ta votojë këtë raport dhe sipas tij pa e diskutuar me ministrin ai nuk duhet të dërgohet në seancë.

Edhe Aliu mungon në mbledhjen e Komisionit për Financa, opozita e quan joserioz Arbëri Aliu mungon në mbledhjen e Komisionit për Financa, opozita e quan joserioz

Më pas ka reaguar deputetja, Abana Bytyqi, e cila ka theksuar se Thaqi po refuzon ta votojë raportin për shkak të "dallavereve".

Asaj i reagoi deputeti Thaqi i cili ka thënë se “infrastruktura është pikë e dobët e AAK-së”.

“Ti pikë të dobët e ke KEK-un. 100 mijë dallavere i keni bërë qe tri vjet”, i është përgjigjur Bytyqi atij./KP