Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Aliu kërkon ndryshimin e ligjit për ndarje të pasurisë, që femrat të jetojnë dinjitetshëm

Femrat në Kosovë, jo rrallë ballafaqohen me probleme sa i përket ndarjes së pasurisë në raste divorci. Shumë nga to nuk marrin asgjë, e disa marrin një pjesë të vogël, por kjo gjendje duhet të ndryshojë menjëherë dhe se nuk duhet të zgjasë më.

Kështu thotë në një intervistë për KosovaPress, Luljeta Aliu, e cila si qytetare e këtij vendi, ka marrë një iniciativë, për ndryshim të Ligjit për Familjen, specifikisht për njohjen e barasvlefshmërisë së punës në familje, duke kërkuar që ligji të përcaktojë qartë, që në rast të ndarjes, pasuria e përbashkët të ndahet në dy pjesë të barabarta.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Propozim këtë të cilën tashmë ajo e ka dorëzuar në Komisionin për Legjislacion dhe se shpreson që propozimi i saj, të shkojë në seancë për shqyrtim.

Por për këtë i duhet përkrahja e së paku, gjashtë deputetëve. Ajo thotë se çalon implementimi i drejtë i ligjit që është në fuqi dhe se për këtë gratë në Kosovë, dëmtohen skajshmërisht në rast të ndarjes nga bashkëshorti.

“Në momentet kur hyhet në martesë, pasuria konsiderohet të jetë pasuri e përbashkët e bashkëshortëve, e cila ndahet në pjesë të barabarta. Qëllimi i kësaj analize ka qenë që të rregullohet pjesa e praktikës ligjore, meqë aty çalon implementimi i drejtë i këtij koncepti dhe për atë arsye dëmtohemi skajshmërisht gratë në Kosovë”, thotë ajo.

Ajo gjithë këtë e quan dhunë ekonomike dhe se sipas saj gratë për këtë arsye, detyrohen të qëndrojnë në një situatë të pa dinjitetshme dhe të mos kërkojnë divorc. Thotë se barasvleshmëria e punës, është një prej gjërave më fer dhe më të drejta që gratë mund t’i kërkojnë.

“Gratë në Kosovë jo vetëm shkaku i shpresës qëndrojnë në një situatë të pa dinjitetshme, por dhe shkaku i dhunës ekonomike. Në momentin kur kërkon gruaja me u nda prej burrit dhe shkon në Gjykatë, praktika ligjore e vendos për pasurinë e përbashkët në mënyrë mjaft arbitrare, sepse me ligj nuk është e përcaktuar se si duhet të ndahet pasuria e përbashkët. Edhe pse ligji e thotë se bashkëshortët janë pronarë të barabartë të pasurisë, neni 47 thotë që pasuria e përbashkët krijohet me punë, gjatë vazhdimit të martesës. Puna nuk është e definuar si punë jashtë shtëpisë apo në shtëpi”, thotë ajo.

Aliu e cila për këtë është bazuar dhe në ligjin gjerman për familjen, ku thotë se kërkesa e saj është vetëm theksimi në formë të shkruar që puna në shtëpi dhe jashtë saj, të jetë e barasvlefshme.

“I mungon ligjit theksimi eksplicit në formë të shkruar që puna në shtëpi dhe puna jashtë shtëpisë është e barasvlershme. Unë e kërkoj që kjo fjali me u fut. Thjeshtë të futet kjo fjali dhe më tej kemi me pas shumë më lehtë dhe gjykatësit se si me u trajtuar çështja, sepse problemi pastaj rezulton është sepse mbesin rastet civile me vite, stërzgjaten deri në 12 apo 13 vite ka raste kur mbetet lënda në Gjykatë, sepse bashkëshortët hyjnë mandej në një lloj lufte me tregu se cilit sa i takon, që është për të ardhur keq. Është shumë e padrejtë me vepruar në këtë mënyrë dhe këtë duhet me ndalu menjëherë se na kish ndihmuar edhe në zvogëlimin e rasteve në gjyqësor dhe na kish ndihmuar, me qenë një shoqëri vërtetë e drejtë. Kot i kemi ne ligjet në letër kur veprat tregojnë krejt tjetërçka. Gratë që tentojnë me u nda ose ndahen, pësojnë një degradim social sepse atyre u takon shumë pak. Ka raste kur 1/10 iu ndahet grave. Ndoshta t’i ke kontribuar 10- 15-20 vjet në atë shtëpi, por trajtohesh si njeri që ke ardhur dhe duhesh me qenë falënderuese që dikush ta ka dhënë një kulm dhe po të ushqen, kështu është mendësia dhe është shumë e mbrapsht ”, tha ajo.

Aliu shton se ndryshimi i këtij ligji nuk do ta rregullonte vetëm situatën e grave dhe të fëmijëve, por do ta rregullonte dhe zhvillimin shoqëror, pasi që gratë me ligjin në fuqi përjetojnë diskriminim të skajshëm. Ndërsa shton se për të është e palogjikshme që edhe dhuna në familje nuk konsiderohet vepër penale.

Aliu ndër të tjera thotë se gratë në Kosovë e kanë edhe një problem të madh gjatë procesit të divorcit, pasi që gjyqtarët dhe avokatët korruptohen, e sidomos kur bëhet fjalë me familje me ndikim, qoftë ekonomik apo politik.

“Vështirësia më e madhe është puna e institucioneve, korruptimi i gjyqtarëve, korruptimi i avokatëve, sepse ka raste kur jo vetëm gjyqtari korruptohet, por dhe vet avokati yt ndodhë që mundet me u korruptuar, sepse pala tjetër ka ndikim. Problemin kryesor e kemi sidomos me familjet të cilat kanë ndikim të madh në shoqëri, ose kanë ndikim ekonomik të madh ose politik. E kanë rrethin e gjerë dhe pastaj iu kryejnë favore njerëzve, të cilët i kanë në institucione të cilët i mbajnë me shërbime të ndryshme. Por nuk e kanë parasysh që ndoshta po e shkatërrojnë jetën e dikujt, ekzistencën e një nëne“, tha ajo.

Ndërsa ka një porosi për nënat që janë divorcuar, apo janë në proces të divorcit, që të luftojnë për të drejtat e tyre dhe të mos dorëzohen asnjëherë.

“Unë kisha dashur grave në përgjithësi me iu thanë, mos u dorëzoni kurrë para rrethanave, se rrethanat duhet me i ndryshuar. Secili prej nesh kalon në situata të vështira, por ato na forcojnë. Gjithmonë kemi pasur rënie, secili prej nesh ka pasur rënie, por forca është në atë se sa herë qohesh, e jo në atë se sa herë bie”, tha ajo.

Ndryshe, Aliu thotë se e ka marrë këtë iniciativë, pasi që e konsideron si një obligim moral dhe detyrë qytetare, me qëllim që brezat e ardhshëm të mos ballafaqohen me problemet me të cilat janë ballafaquar dhe po ballafaqohen femrat në Kosovë.