22:42 - Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje” bëri të ditur se ishte edhe për kandidim të Shpend Ahmetit për kryeministër por edhe kur flitej për mundësinë e pozitës së kryeparlamentarit.
Mirëpo hezitimi i tij për të marrë vendime në Komunën e Prishtinës e bëri të ndryshojë mendje.
“Ka pasur një plogështi në vendimmarrje”, tha ai duke iu referuar punës së Ahmetit.
“Ka pasur një hezitim në vendimmarrje... nuk kisha pasë qef me pa në krye të Kosovë në qeverisje me atë hezitim të vendimmarrjes”, theksoi ai.
VV nuk kërkon dorëheqjen e Ahmetit nga udhëheqja e Prishtinës
22:31 - Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu ka thënë se nuk e kërkon dorëheqjen e Shpend Ahmetit nga pozita e kryetarit të Prishtinës.
Ai në një intervistë për Rubikon të KTV-së tha se një gjë e tillë do t’i bënte keq Prishtinës.
Aliu e sheh të rëndësishme që të insistohet për vazhdim të programit të njëjtë.
“Nuk mendoj që në këtë moment duhej të mendojmë variante që ta ndryshojmë. Kjo mund të ketë pasoja për qytetin e Prishtinës”, tha ai.
Ai kujton kohën kur ishte drejtor i Urbanizmit në komunën e Prishtinës dhe vështirësitë që kishte Ahmeti në drejtimin e kryeqytetit.
“Shpend Ahmeti e din shumë mirë që po të mos kishin qenë drejtorët dhe strukturat e VV-së aty në komunë, arritjen e ndryshimet që i kemi bërë në Prishtinë kundrejt gjithë asaj praktike të mbrapshtë që ka qenë në Prishtinë, nuk ishin bërë. Unë mendoj që ndryshimi në Prishtinë nuk do të kishte ardh po të mos kishte qenë Lëvizja Vetëvendosje dhe Shpend Ahmeti në bashkëpunim”, ka thënë ai.
Aliu ka thënë se deputetët e pakënaqur ligjërisht nuk janë të detyruar që të japin dorëheqje nga pozita e deputetit, ndërsa moralisht po.
Për Aida Dërgutin nuk e ndan të njëjtin mendim.
Aliu tha se ajo duhet të jap dorëheqje nga pozita e nënkryetares së Kuvendit, duke qenë se pozita që e mban nuk është e zgjedhur por përfaqëson interesat e Lëvizjes.
Aliu thotë se Ymeri e Molliqaj janë 100 herë më autoritarë se Kurti, e shpjegon me një shembull
22:05 - Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Liburn Aliu sonte në Rubikon të KTV-së ka thënë se Albin Kurti nuk është autoritar.
Këtë mbiemër ai ua vesh pikërisht atyre që e thanë këtë për Kurtin.
“Më autoriar ka qenë koha kur ka qenë Visar Ymeri kryetar. 100 herë më shumë autoritar Visar Ymeri dhe Dardan Molliqaj”, ka thënë Aliu.
Aliu përmendi madje edhe një rast që kishte ndodhur në njërën prej qendrave të partisë, në kohën kur Dardan Molliqaj ishte sekretar organizativ e Ymeri kryetar i Lëvizjes.
“I kanë thënë a po e shihni, ky është koordinatori juaj i ri, nëse ju pëlqen rrini, nëse jo largohuni”, ka thënë Aliu.
Programin që tash po e kundërshtojnë Molliqaj e Ymeri, Kurti e shkroi kur ishin në frekuenca të njëjta
21:57 - Platforma e kryetarit Albin Kurtit u pa si arsyeja kryesore e cila nxiti pakënaqësitë e anëtarëve dhe një pjesë të kryesisë brenda Lëvizjes. Dardan Molliqaj në debatin që kishte me Glauk Konjufcën përmendi disa pika të këtij programi.
Molliqaj përmendi pikëpamjen e Albin Kurtit që pushteti fitohet vetëm me gjendje të jashtëzakonshme.
“Ne s’do të arrijmë ta marrim pushtetin pa një gjendje të jashtëzakonshme. Madje as ta mbajmë atë pa një gjendje të jashtëzakonshme për një kohë sepse sistemi është shumë i kriminalizuar dhe shumë kriminelë jashtë të lidhur me armikun tonë kryesor, Serbinë. Shteti duhet t’i ndihmoj qytetarët që t’i realizojnë bashkë gjërat që nuk do të kishin mundur t’i realizojnë ose bëjnë indivudalisht e jo vetëm t’i mbrojnë ato nga njëri tjetri si pronarë”, kishte thënë Molliqaj.
Mirëpo qëndrimin e Molliqajt nuk e përkrah Liburn Aliu. Në të njëjtën studio, sonte Aliu tha se për diçka të tillë u pajtua vetë Molliqaj, atë kohë sekretar organizativ i partisë.
Madje ai tha se u pajtuan si Visar Ymeri ashtu edhe Aida Dërguti.
“Po sikur të hidhej në diskutim ai program brenda Kryesisë dhe ta diskutonim e të merrnim vendim. Pse është dashtë ata ta paragjykojnë Kurtin dhe programin e tij pa e diskutuar, kur kemi diskutuar për secilën ide tjetër. Ai program i atëhershëm është më shumë derivat i Kryesisë së atëhershme ku ka qenë edhe Molliqaj e edhe Ymeri”, ka thënë Aliu.
“Kur e ka shkuar atë Kurti ka qenë në frekuencë të njëjtë me Dardanin e Visarin”, ka thënë më tej ai.
Aliu përgënjeshtron Molliqajn në diskutimet me Bojken Abazin
Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, ka përgënjeshtruar ish-bashkëpartiakun e tij Dardan Molliqaj, për atë që kishte thënë ai po në “Rubikon” të KTV-së.
Ish-sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj kishte deklaruar se i është kërkuar që të largohej nga Kosova dhe të qëndronte një kohë në Tiranë. Këtë kërkesë thoshte se ia kishte bërë Boiken Abazi për të gjetur zgjidhje të problemit që po shfaqej në parti.
“Largohu nga Kosova, rri deputet, shko nënshkruaj për me marrë pagën se të duhen paret, jeto në banesën time po një vjet mos fol”, kishte thënë Molliqaj t’i kishte thënë Abazi.
Sipas Molliqajt, Abazi i kishte thënë se krejt kjo është që të sigurohet Kurti se ai s’kishte kurrfarë plani kundër tij.
“I thash a i bie kjo një internim modern?”, kishte thënë Molliqaj.
Mirëpo një gjë të tillë e mohon Liburn Aliu.
Sonte në po të njëjtën studio, Aliu bëri të ditur se ishte krejtësisht e kundërta.
“Nuk iu kërkua Dardan Molliqajt por vetë Albin Kurtit që të largohej”, tha ai.
Aliu mendon se arsyeja e vërtetë e ikjeve nga VV-ja nuk është thënë ende
Pjesa e të pakënaqurve në Vetëvendosje, tashmë grupi më i ri parlamentar në Kuvendin e Kosovës, nuk treguan arsyet e vërteta të ndarjes, shpreh bindjen deputeti i kësaj partie dhe njëri ndër themeluesit e Lëvizjes, Liburn Aliu.
“Nuk e kam idenë e plotë se pse ka ardhur deri këtu. Nuk kemi në fakt ndonjë arsye të vërtetë që ka të bëjë ose me konceptin, nuk kemi arsye që do të na bënte edhe neve të reflektojmë. Ajo çka është thënë deri tash është një lloj loje me arsyetim joreal. Arsyeja e vërtetë nuk është thënë. Nga ajo që kemi pa, e pasinqertë mendoj që ka qenë mënyra e artikulimit”, ka thënë Aliu në Rubikon të KTV-së.
Ai thotë se pakënaqësi kishin edhe të tjerët mirëpo duke qenë se dorëheqja mbetet e fundit, fillimisht sipas Aliut, duhej të adresoheshin problemet.
Sipas tij, asnjëherë nuk pati gatishmëri që të diskutohej dhe të adresoheshin këto tema.
Aliu ka treguar se ish-kryetarit Visar Ymeri iu kërkua që të mbante mbledhje të Kryesisë në mënyrë që të adresoheshin pakënaqësitë dhe të diskutohej për organizatën.
“Mirëpo një takim i tillë në Vetëvendosje u shty deri në publikimin e bisedës në Viber dhe ofendimit që iu bë Albin Kurtit nga deputetja Aida Dërguti”, ka thënë Aliu, teksa në Rubikon të KTV-së theksoi se kjo çështje u zvarrit pikërisht nga kryetari i atëhershëm, Visar Ymeri.
“Është shty nga mbledhja në mbledhje, kryesisht nga Visari. Unë bile kam qenë i zhgënjyer për shtyrje. Thoshte se do flasim, një herë e për të gjitha. U zvarrit deri kur ndodhi rasti me Aidën. Para se të ndodhte me Aidën ishin paralajmërimet se ishin katër kushte që i ka vendos Dardan Molliqaj e që ndër to ishte edhe mos kandidimi i Albin Kurtit për kryetar të partisë”, theksoi Aliu.