Njohësi i çështjeve politike Rasim Alija ka thënë se fushata zgjedhore duhet të mbahet, por duhet të jetë më e shkurtër e me inovacione e duke respektuar masat anti-COVID.
Alija ka thënë se qytetarët duhet të vlerësojnë kandidatët edhe me atë se sa i respektojnë masat.
“Duhet të mbahet fushata, por duke respektuar edhe rekomandimet e institutit dhe me një lloj inovacioni. Subjektet e kandidatët ka muaj që kanë filluar fushatën, madje edhe duke mos respektuar rekomandimet e IKSHPK-së. Fushata të zhvillohet me risi, e jo si fushata e zakonshme në oda me mish e gjëra tjera e shumë pjesëmarrës. Të jetë e përqendruar në komunitete të vogla, në ecje. Ka shumë mënyra për të mos rrezikuar shëndetin publik e jetën e qytetarit. Kandidatët e subjekteve duhet ta fusin si kriter respektimin e masave, e qytetari duhej të vlerësojë ata në bazë të fushatës inovative. Imagjinoni nëse një kandidat rrezikon jetën e qytetarit duke mos i respektuar masat, imagjinoni se po ta fitonte atë komunë çfarë do të bënte”, ka thënë Alija në emisionin “SOT” të KTV-së.
Alija ka thënë se do të ishte mirë shkurtimi i fushatës në 10 apo 15 ditë.
“Të gjendet një mes, të mendohet edhe për kandidatët e komunave të vogla e mesatare që të tregojnë veten. Nuk e kanë të gjithë ata mundësinë si të themi në komunën e Prishtinës”, ka thënë Alija.
Sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve, Alija ka thënë se nuk duhej diskutohet kjo.
Edhe
Partitë nuk respektojnë masat as gjatë parafushatës
“As që duhej diskutuar mbajtja e zgjedhjeve ose jo. Kemi mbajtur zgjedhje parlamentare në shkurt të këtij viti, kur nuk ishte administruar asnjë dozë e vaksinës, e gjendja me COVID ishte shumë e paqartë. Ka ndërruar gjendje tash, kemi administruar mbi 1 milion doza të vaksinës si shtet. Nuk ka as mundësi ligjore e kushtetuese që të shtyhen zgjedhjet lokale. Në rast të një skenari ku do të shtyheshin zgjedhjet lokale, dëmi që do të shkaktohej në qeverisje lokale do të ishte shumë i madh. Është hera e parë në histori që zgjedhjet lokale do të shtyheshin”, tha Alija.