Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka folur rreth takimeve që ka zhvilluar të martën i pari i kësaj partie, Albin Kurti dhe u.d presidentja Vjosa Osmani me partitë politike të tjera.
Ajo tha se ndryshe nga fituesit e zgjedhjeve të kaluara, VV-ja si fituese nga zgjedhjet e 14 shkurtit është afruar me qasje tjetër nga partive opozitare. Qëllimi i takimeve, thotë ajo, ishte për sfidat e vendit e jo për numrat për krijimin e institucioneve.
“Kemi zgjedhur një qasje tjetër për opozitën, që t’ia zgjasim dorën opozitës për shkak të sfidave që e presin vendin, jo për bërjen e Qeverisë. Nuk jam në dijeni cka është diskutuar saktësisht, por qëllimi ka qenë të flasim për krijimin e institucioneve. Mbajtëm mbledhjen e kryesisë së Kuvendit ku folëm për seancën konstituive, që mbahet të hënën në orën 10:00. Sot ka pasur deklarime edhe nga përfaqësuesit e komuniteteve që kanë deklaruar mbështetjen për qeverinë Kurti 2. I falënderoj sepse disa prej tyre për herë të parë kanë ardhur pa kërkesa, pra me kërkesa për pozita. Nuk kemi parë në të kaluarën kërkesa specifike”, tha ajo në Interaktiv.