Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka emëruar të premten Alban Krasniqin, anëtar të ri të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Në njoftimin e presidencës thuhet se Krasniqi është emëruar konform propozimit të grupit parlamentar të LVV-së.
“Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, në pajtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, ka emëruar sot anëtarin e ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Alban Krasniqi. Z. Krasniqi është emëruar konform propozimit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe sipas legjislacionit në fuqi, do të shërbejë për kohëzgjatjen e mandatit të mbetur. Në ceremoninë e betimit para Presidentes, anëtari i ri i KQZ-së deklaroi se do t`i kryej detyrat e tij në mënyrë të ndershme, besnike, të paanshme, profesionale dhe të ndërgjegjshme”, thuhet në njoftim.
Emërimi i Krasniqit në këtë pozitë është bërë për të zëvendësuar Alim Ramën, i cili është dorëhequr më 13 janar të këtij viti.