Jo të gjithë serbët e veriut janë kundër zgjedhjeve të parakohshme të së dielës. Përfaqësues të subjekteve politike që veprojnë në këtë pjesë, gjatë një forumi në Çagllavicë, përplasën argumentet në lidhje me pjesëmarrjen ose jo në to. Ata alarmuan për presionin dhe hakmarrjen që po u nënshtrohen, ndërkaq theksuan dallimet mes vete kur folën në lidhje me mbrojtjen që Kosova u ofron viktimave të Listës Serbe dhe të Beogradit zyrtar
Aktivistë politikë të opozitës në veri kanë përplasur qëndrimet në lidhje me pjesëmarrjen ose jo të serbëve në zgjedhjet e parakohshme të së dielës.
Në një forum të organizuar në Qendrën Mediale në Çagllavicë, kryetari i iniciativës qytetare “Mbijetesa serbe”, Aleksandar Arsenijeviq, listoi argumentet se pse është përcaktuar ta bojkotojë procesin.
“Unë nuk kam kandiduar për zgjedhje, sepse nëse qytetarët e mi vendosin të shkojnë në humnerë, unë do të shkoj me ta. Nëse ata nuk dëshirojnë të dalin në zgjedhje, nuk do të kandidoj. Fatkeqësisht, sot atmosfera është asisoj që ekzistojnë vetëm ata ‘besnikë ndaj Kurtit’ apo ‘besnikë ndaj Vuçiqit dhe Listës Serbe’. Vështirë po e kanë njerëzit ta kuptojnë se ka njerëz të pavarur të cilët kanë vendosur t’i bojkotojnë këto zgjedhje”, ka thënë Arsenijeviq.
E Slagjana Pantoviq, e cila është kandidate për kryetare të Zveçanit, tha se lojaliteti ndaj qytetarëve nënkupton pjesëmarrjen në procesin zgjedhor.
“Unë kam kolegë që i kanë lënë institucionet e Kosovës, ata që i kanë marrë nga dy rroga: një nga Kosova dhe tjetrën nga Serbia. Kam edhe kolegë që e kanë pasur vetëm një rrogë – atë të Kosovës, dhe tani kanë mbetur pa të. Vuçiqi kur e patën lënë punën ua ka dhënë një lloj kompensimi në dinarë. Tani ua ka ndalur edhe atë. Si mund t’ju ndihmojmë këtyre njerëzve nëse nuk marrim pjesë në zgjedhje?”, u shpreh ajo.
Edhe
Partitë e vogla serbe ankohen për kërcënime nga Lista Serbe, por s’bashkëpunojnë me Prokurorinë
Lista Serbe, subjekt kryesor i serbëve të Kosovës, fundvitin e shkuar ka braktisur institucionet. Ajo nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.
Sekretari i partisë “Serbët e Kosovës”, Andrija Ignjatoviq, ka fajësuar këtë parti për hakmarrje politike ndaj atyre që kanë kandiduar dhe shprehu pritjen se mund të ketë tensione.
“8 punëtorë në Komunën e Leposaviqit para 10 ditësh kanë mbetur pa rroga. Ata të cilët kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në nëntor, me bindje të shtetit të vet, Serbisë, e sot u janë ndalur rrogat nga ajo, vetëm sepse janë anëtarë të partisë ‘Serbët e Kosovës’ ose vetëm pse e kanë ndonjë familjar në listën e partisë”, ka thënë Ignjatoviq.
Për hakmarrje politike nga Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar folën edhe Arsenijeviq dhe Pantoviq. Përderisa u pajtuan për këtë, qëndrime të ndryshme theksuan në lidhje me mbrojtjen që të tillëve u ofrojnë institucionet e Kosovës.
“Unë kur kam kandiduar në vitin 2021 për kryetar të Komunës në Mitrovicë të Veriut, pas disa ditësh më patën larguar nga puna në shkollë si profesor i kimisë ku kam punuar. Ky ishte një presion i dukshëm. Edhe atëherë ka qenë në qeverisje Kurti dhe asgjë nuk ka ndërmarrë”, deklaroi Arsenijeviq. “Po thoni që Kurti nuk ka ndërmarrë asgjë që serbët të kthehen në vendet e tyre të punës... I ka shtyrë zgjedhjet 6 muaj, ka ftuar për pjesëmarrje në zgjedhje. Për këtë arsye nuk mund të fajësoni Kurtin dhe këtë qeveri”, shtoi Pantoviq.
Ajo akuzoi shumicën e serbëve në veri edhe për patriotizëm të rrejshëm.
Edhe
Zgjedhjet do të bojkotohen, thonë përfaqësuesit politikë dhe të OJQ-ve
“Të gjithë ne e kishim luajtur rolin e patriotit, unë fillimisht për vete nuk mund të them që jam patriote, sepse 15 vjet e kam pranuar euron, kam marrë rrogë edhe prej Kosovës, edhe prej Serbisë. Patriot është ai që kurrë nuk e ka pranuar rrogën e Kosovës, për patriotizëm mund të flasin të tjerë njerëz, sepse kjo vetëm patriotizëm s’mund të quhet”, ka thënë Pantoviq.
Zgjedhjet në veri janë shpallur pas dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave atje, në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, të cilat udhëhiqeshin nga Lista Serbe.