Arbëri

Aktakuzë ndaj ish-deputetit të LDK-së dhe 7 personave, akuzohen se keqpërdorën votat e diasporës

Numërimi i votave

Foto: Driton Paçarada

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave në lidhje me Zgjedhjet e Parakohshme të Përgjithshme Parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura me datë 14 shkurt 2021.

Në mesin e tyre është edhe një ish-deputet i LDK-së.

Shtatë prej personave akuzohen për veprat penale: Keqpërdorim i të drejtës së votimit dhe Vjedhja e identitetet dhe pajisja e qasjes, kurse një person akuzohet për veprën penale Kanosje, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Në mesin e të akuzuarve janë: Sh. G. ish deputet i Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së vitit 2019 nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, T.Sh. zyrtar në Komunën e Pejës, si dhe të tjerët: K. B., M. B., D.B, Sh.Sh., S.B. dhe K.Gj.

“Të pandehurit akuzohen se gjatë zgjedhjeve të datë 14 shkurt 2021, kanë keqpërdorur të drejtën e votimit duke votuar në emër të qytetarëve të cilët jetojnë në Austri, duke keqpërdorur sistemin e votimit me postë. Hetimet kanë zbuluar se të pandehurit kanë keqpërdorur kopjet e letërnjoftimeve dhe të drejtën e votës për 71 qytetarë të cilët jetojnë në Austri, duke votuar në emër të tyre në procesin zgjedhor”, njoftoi prokuroria.

Me këtë veprim, prokuroria ka thënë se grupi i të pandehurve synonte që të siguronte vota për kandidatin – të pandehurin Sh. G., megjithatë, i njëjti nuk ka siguruar vota të mjaftueshme për të marr mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës.