Me katër persona të arrestuar, njëri prej tyre i liruar në procedurë të rregullt, ka rezultuar aksioni i Policisë së Kosovës në tri komuna lidhur me ndërtimet në Brezovicë. Në mesin e të arrestuarve janë edhe dy zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, derisa të tjerët janë investitorë. Policia e Kosovës është në kërkim edhe të 5 personave të dyshuar, derisa gjatë aksionit ka sekuestruar një numër të konsiderueshëm të provave materiale.
Dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mjedisit janë arrestuar të enjten nga Policia e Kosovës.
Njëri prej tyre është Arben Çitaku, i cili deri në shkurt të vitit 2020 ka qenë sekretar i përgjithshëm në Ministri, e tjetri kryeinspektori aktual Bedri Halimi.
Çitaku e Halimi janë në mesin e 4 personave të arrestuar gjatë aksionit të organeve të drejtësisë, për ndërtimet në Brezovicë.
Prej tyre 3 janë ndaluar për 48 orë, një i dyshuar tjetër është liruar në procedurë të rregullt, derisa edhe 5 persona të dyshuar janë të shpallur në kërkim .
“Me vendim të prokurorit sot është ndaluar për 48 orë Bedri Halimi, kryeinspektor i Ministrisë së Mjedisit për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, gjithashtu është ndaluar ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, si dhe marrje e ryshfetit”, ka thënë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.
Edhe
Ngrihet aktakuzë ndaj 12 personave për rastin “Brezovica 1”
Gjatë bastisjeve të bëra në 9 lokacione në tri komuna: Shtërpcë, Ferizaj e Prishtinë, Policia e Kosovës ka sekuestruar një numër të konsiderueshëm të provave materiale
“Në xhirollogaritë bankare të personave të dyshuar kemi identifikuar vlerën monetare prej 5 milionë e 389 mijë euro dhe 86 mijë e 146 dollarë amerikanë. Gjatë kontrollit të sotëm janë sekuestruar edhe dëshmi e prova materiale si në vijim: është sekuestruar një veturë BMW, armë CZE, armë ‘Zastava’, 163 fishekë, një kuti me armë, një shtëpizë kompjuteri, një usb, telefona mobilë, pesë videokaseta, uniformë me mbishkrimin ‘Policia’ të sistemit jugosllav dhe dokumente të ndryshme”, ka bërë të ditur Agron Haziri, shef i Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Polici.
Vazhdim të aksioneve të tilla ka paralajmëruar prokurori i rastit Rasim Maloku.
“Janë konfiskuar një numër i madh i dokumentacionit që kanë të bëjnë me pëlqime ujore, leje ujore, leje mjedisore, pastaj vendime të ndryshme që janë dhënë për lëshimin e lejeve”, ka thënë ai.
Edhe
Ryshfet e fajde në aferën “Brezovica 6”, kush janë të arrestuarit dhe cili është roli i tyre
Aksioni i së enjtes është vazhdimësi e atij të zhvilluar në fund të dhjetorit.
Më 21 dhjetor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës ka arrestuar 10 persona, në mesin e tyre edhe ish-kryetarin e Shtërpcës, Branislav Nikoliq. Nikoliq, sipas dyshimeve të Prokurorisë, ka marrë ryshfet me qëllim të dhënies së lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar në Brezovicë.