Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

(Lajm i përditësuar) Në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për rastin e njohur si “Reçaku II”, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka njoftuar se ka realizuar një operacion policor që ka rezultuar me arrestimin e pesë personave.

Sipas njoftimit, operacioni është zhvilluar në disa lokacione ku janë ekzekutuar edhe urdhër-kontrolle nga autoritetet kompetente.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se do të mbajnë një konferencë për media, ku do të jepen detaje shtesë lidhur me operacionin dhe hetimet në vazhdim.

Konferenca për media është paralajmëruar të mbahet në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, në katin e gjashtë, në orën 13:00.


Aksion për krime lufte në disa lokacione në Kosovë

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, ka zhvilluar një aksion në disa lokacione të ndryshme.

Aksioni, sipas burimeve të KOHË-s lidhet me hetimet ndaj disa personave të dyshuar për veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile” dhe ka nisur në orët e para të mëngjesit.

Siç merr vesh KOHA, njëri nga lokacionet ku është zhvilluar aksioni është komuna e Shtërpces, ndërsa tjetri në rajonin e Anamoraves.

Deri në këtë fazë nuk janë dhënë detaje zyrtare për operacionin. KOHA ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale dhe në Policinë e Kosovës lidhur me përfundimin e aksionit, lokacionet ku është zhvilluar ai, si dhe numrin e personave të arrestuar, por deri më tani asnjëra nga institucionet nuk ka kthyer përgjigje.

Hetimet në lidhje me rastin janë duke vazhduar, ndërsa priten informacione shtesë nga autoritetet kompetente.

Sillen në gjykatë të dyshuarit për krime lufte në Reçak

3 muaj më parë / 14 qer 2026 16:20 Nga: Donisa Fazliu
I arrestuari për krime lufte në Reçak duke u dërguar në gjykatë

Photo: KOHA

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca për caktimin e masës ndaj pesë të dyshuarve të arrestuar sot për krime lufte kundër popullsisë civile. 

Pesë të arrestuarit po dyshohen për krime lufte në Reçak. 

Prokurori special Ilir Morina do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve. 
Personat e arrestuar janë N.B. nga Shtëprca dhe ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. I dyshuari i dytë S.J, banues në Shtërpcë ish-polic i Ministrisë i Punëve të Brendshme të Serbisë. B.P Shtërpcë ish-polic i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë që është arrestuar në Merdar. I dyshuari katërt S.N. banues në Shtërpcë dhe ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. I dyshuari i pestë S.S banues në Gjilan dhe punëtor në shërbimet postare në Serbi, dhe pjesë e formacioneve policore në Policinë e Punëve të Brendshme të Serbisë në kohën  e kryerjes së veprës penale.

Ai ka  bërë të ditur se është realizuar kërkim edhe për një ish-polic serb në Shtërpcë por i njëjti nuk është hasur në vendbanim dhe nuk është arritur të arrestohet.

 

Sveçla pas arrestimeve: S’do të ketë kompromis ndaj autorëve të krimeve në Kosovë

3 muaj më parë / 14 qer 2026 14:12
Xhelal Svecla

Photo: Driton Paçarada

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas operacionit të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, ku u arrestuan pesë persona të dyshuar për përfshirje në masakrën e Reçakut dhe një person tjetër i dyshuar për vrasjen e civilëve në Ponesh.

Përmes një deklarate publike, Sveçla tha se krimet e luftës të kryera nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe po hetohen dhe ndiqen penalisht më shumë se kurrë më parë, duke theksuar se nuk do të ketë kompromis ndaj krimeve të kryera kundër popullatës së Kosovës.

Ai përgëzoi Policia e Kosovës, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës për realizimin e operacionit dhe arrestimin e të dyshuarve.

Sipas Sveçlës, Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe të gjithë ata që kanë planifikuar, urdhëruar apo zbatuar krime ndaj popullatës duhet të përballen me drejtësinë. Ai shtoi se dhimbja e familjeve të viktimave vazhdon të mbetet e madhe, ndërsa vendosja e drejtësisë është obligim institucional dhe moral.

Ministri theksoi se institucionet do të vazhdojnë ndjekjen e personave të dyshuar për krime lufte derisa secili përgjegjës të japë llogari për veprimet e tij.

Ai kujtoi gjithashtu se, gjatë mandatit të tij, hetimi i krimeve të luftës brenda Policisë së Kosovës është fuqizuar, duke u ngritur nga nivel sektori në drejtori dhe duke iu dyfishuar numri i personelit.

Në fund, Sveçla deklaroi se vendosja e drejtësisë për viktimat është e domosdoshme për ruajtjen e së vërtetës historike, ndërtimin e një të ardhmeje me dinjitet dhe parandalimin e përsëritjes së krimeve të së kaluarës.

Pesë të arrestuarit në rastin “Reçaku II” ishin pjesëtarë të MPB-së serbe

3 muaj më parë / 14 qer 2026 13:35
morina

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë dhënë detaje në një konferencë për media lidhur me arrestimin e pesë personave të dyshuar për krime lufte në Reçak.

Prokurori Ilir Morina, ka thënë se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për rastin e Reçakut dhjetorin e vitit të kaluar, porse ka shtuar se nuk kanë përfunduar hetimet.

Ai ka deklaruar se në hetimet që kanë zhvilluar këto muaj, kanë identifikuar disa persona që kanë qenë pjesë e njësive të posaçme të Policisë së Serbisë në atë kohë që kanë marrë pjesë në aksionin e 15 janarit të vitit 1999 në Reçak.

“Pasi kemi siguruar prova të mjaftueshme dhe kemi konsideruar se ekziston dyshimi i bazuar lidhur me këta persona dhe kemi bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ku kemi kërkuar urdhërarrestin dhe urdhërkontrollin. Gjykata ka aprovuar kërkesën dhe sot në orët e para të mëngjesit së bashku me Policinë kemi zbatuar urdhrin dhe kemi arrestuar pesë persona të përfshirë në Masakrën e Reçakut”, ka thënë ai.

Drejtori i Drejtorisë së Hetimeve për krimet e luftës, Bashkim Spahija ka thënë se rasti i Reçakut është jashtëzakonisht i rëndë dhe ka kërkuar angazhim dinamik në kuptimin e hetimit dhe mbledhjes së provave për kryesit e mundshëm të kësaj vepre penale.

“Një pjesë e veprimeve hetimore janë finalizuar në mënyrë të suksesshme vitin e kaluar, ndërkohë që kanë vazhduar edhe hetimet edhe gjatë këtij viti me një njësi që ka qenë e koncentruar kryesisht në këtë rast. Me datën 3 qershor kemi prezantuar në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal kundër 6 personave të dyshimtë. Në rrjedhë procedurale me kërkesë të prokurorit të rastit është kërkuar urdhërkontrolli. Me qëllim të realizimit të suksesshëm të këtij kontrolli, Policia ka bërë një plan operativ që është emërtuar ‘Reçaku II’”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se angazhimi në terren në implementimin e këtij plani operativ ka filluar sot në orën 6 të mengjesit, ku janë arrestuar pesë persona.

Personat e arrestuar janë N.B. nga Shtëprca dhe ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. I dyshuari i dytë S.J, banues në Shtërpc ish-polic i Ministrisë i Punëve të Brendshme të Serbisë. B.P Shtërpcë ish-polic i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë që është arrestuar në Merdar. I dyshuari katërt S.N. banues në Shtërpcë dhe ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. I dyshuari i pestë S.S banues në Gjilan dhe punëtor në shërbimet postare në Serbi, dhe pjesë e formacioneve policore në Policinë e Punëve të Brendshme të Serbisë në kohën  e kryerjes së veprës penale.

Ai ka  bërë të ditur se është realizuar kërkim edhe për një ish-polic serb në Shtëprcë por i njëjti nuk është hasur në vendbanim dhe nuk është arritur të arrestohet.

Ka shtuar se janë sekuestruar armë, pjesë të ndryshme të uniformave, pranga, 43 fishekë, maskë për mbrojtje nga mjetet kimike, dokumentacione që konfirmojnë angazhimet në MPB-në e Serbisë, katër telefona mobilë, mbi 30 mijë euro, mbi 400 mijë dinarë serbë si dhe gjësende tjera.

Lista Serbe akuzon për presion politik pas arrestimit të pesë personave në rastin “Reçaku II”

3 muaj më parë / 14 qer 2026 11:39
Lista Serbe

Foto-ilustrim

Lista Serbe ka reaguar lidhur me aksionin e Prokurorisë Speciale të Kosovës në kuadër të hetimeve për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”, ku janë arrestuar pesë persona.

Në një reagim publik, kjo parti ka vlerësuar se arrestimet e fundit të serbëve përfaqësojnë, siç thuhet në deklaratë, një valë të re frikësimi dhe presioni ndaj komunitetit serb në Shtërpcë dhe Gjilan. Sipas tyre, këto veprime synojnë krijimin e një atmosfere pasigurie ndaj popullit serb në Kosovë.

Në reagim thuhet gjithashtu se arrestimi dhe ndjekja penale e personave të pafajshëm nuk përbën drejtësi dhe se qasje të tilla, sipas tyre, nuk kontribuojnë në paqe, por rrisin mosbesimin dhe tensionet.

Më tej, Lista Serbe e ka cilësuar situatën si presion të motivuar politikisht ndaj komunitetit serb dhe ka kritikuar, siç thuhet në deklaratë, mungesën e reagimit nga përfaqësuesit ndërkombëtarë për këto raste.

“Është veçanërisht shqetësuese që prej vitesh po ndalohen dhe akuzohen pa prova të vlefshme persona që kanë jetuar gjatë gjithë periudhës së pasluftës në Kosovë, duke ndërtuar shtëpitë e tyre, duke rritur familjet dhe duke qenë të pranishëm në mënyrë të hapur në shoqëri. Shtrohet pyetja logjike – a beson dikush realisht se një person që ka kryer ndonjë krim do të qëndronte për më shumë se dy dekada në të njëjtin vend, duke ndërtuar familje dhe duke qenë i qasshëm për institucionet? Arrestimi dhe ndjekja penale e njerëzve të pafajshëm nuk është drejtësi. Veprime të tilla nuk sjellin paqe dhe nuk u japin kënaqësi familjeve të viktimave. Përkundrazi, abuzimi me drejtësinë dhe qasja selektive vetëm sa thellojnë mosbesimin dhe tensionet ndërkombëtare.  Ajo që po ndodh është dhunë e pastër institucionale dhe presion i motivuar politikisht ndaj popullit serb. Prej vitesh, përmes veprimeve të tilla, Prishtina po tenton të krijojë një narrativë të rrezikshme sipas së cilës çdo serb që ka qenë në moshë madhore pas vitit 1999 mund të akuzohet për vepra të rënda penale pa asnjë bazë. Një qasje e tillë nuk bazohet në të drejta dhe prova, por në stigmatizimin kolektiv të një populli të tërë”, thuhet në reagim.