Organizata joqeveritare “4thWave” për Ditën e Gruas – 8 Marsin, nëpërmjet një aksioni ka bërë thirrje për reflektim mbi luftën për barazi gjinore dhe mbrojtjen e jetës së grave.
Në qytetin e Skenderajt, kjo organizatë ka lëshuar një çarçaf me mbishkrim: “A u ni në Drenicë pushka veç për burra a edhe për gra?”
Sipas organizate, thirrja është bërë në Drenicë sepse ky vend simbolizon sakrificat e bëra të popullit të Kosovës për vetëvendosje.
“Pikërisht këtu, janë themelet e rezistencës për çlirimin e Kosovës. Megjithatë, teksa shënojmë 25 vjet nga ato kohë të trazuara, gjurmët e dhunës janë ende të mëdha, ndonëse në një formë tjetër. Sot, gratë në Kosovë përballen me një armik të ri: dhunën me bazë gjinore. Pavarësisht sakrificave të bëra gjatë luftës, gratë vazhdojnë të jenë viktima të dhunës me bazë gjinore, shpesh nga duart e partnerëve të tyre. Ky realitet i zymtë na ballafaqon me një të vërtetë të madhe: nëse pushka në Drenicë u ni për liri, barazi dhe pavarësi, atëherë u ni edhe për gratë, por aq sa për burra”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.
“4thWave” ka thënë se lufta për barazi gjinore është e vazhdueshme që kërkon vëmendje e veprim sot.
Edhe
Në marshin për 8 Marsin bëhet thirrje për barazi dhe drejtësi për gratë
“Prandaj në këtë ditë thirrjet tona mbeten të njëjta: LIRI, BARAZI, SOLIDARITET”, thuhet tutje në njoftim.