Rruga Prishtinë-Vushtrri-Mitrovicë, ende me probleme në të njëjtin fshat. Është fjala për fshatin, Lum i Madh të Vushtrrisë, ku punimet janë ndërprerë tash e sa vite, siç u tha atëherë për shkak të kontesteve pronësore, por për pasojë aty shkaktohen kolona të gjata dhe aksidente.
Sipas banorëve në këtë fshat, vozitësit janë shumë të pakujdesshëm dhe shpejtësia që ata e përdorin në këtë rrugë është shumë e lartë, gjë që shkakton edhe aksidente.
Përpos aksidenteve, ata thonë se krijohen kolona të gjata, e në veçanti në mbrëmje. Shqetësim kanë edhe bizneset të cilat prapa kamerave thonë se kjo gjendje iu ka sjellë vështirësi të mëdha në bizneset e tyre në atë pjesë, raporton KosovaPress.
Behar Bajrami nga fshati Lum i Madh, ku rruga ka mbet e pa përfunduar tash e disa vite, thotë se kolona ta gjata ka në mbrëmje.
“Çdo kohë, sidomos në mbrëmje bëhet shumë tollovi e madhe dhe krijohen kolona të gjata”, tha ai.
Edhe
Ardhja e mërgimtarëve dhe punimet në rrugë, shkak i kolonave të gjata
Edhe për bashkatdhetarët, kjo rrugë është shqetësim, edhe pse periudha e qëndrimit të tyre në Kosovë është e shkurtë.
Hajriz Aliu ankohet për mungesën e shenjave në këtë pjesë ku janë ndërprerë punimet.
“I kam thënë edhe familjarëve të mi se si është e mundur që vetura e cila vjen nga rruga me shpejtësi prej 100-120 kilometra në orë, me has në një rrugë thuajse një kahëshe dhe pa lajmërimin e shenjave. Unë i kam thënë të gjithëve, gjithmonë qytetarët duhet me shpreh shqetësimin e tyre. Në qoftë se nuk tregojnë, komuna e ka për obligim të merret me këtë situatë. Dikush duhet të ankohet për këtë situatë”, tha ai.
Enis Osmani po nga ky fshat, thotë se në këtë rrugë krijohen kolona shumë të gjata.
“Ndonjëherë nuk e di çfarë kohe është, kur po bllokohet rruga po vonohet shpesh, kolonë e madhe”, tha ai.
KosovaPress ditë për parë ka raportuar për aksidente dhe kolona në këtë fshat, të cilat mbërrijnë disa kilometra, madje edhe deri në Vushtrri.
Edhe
Kolona në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë arrin deri në 7 kilometra
KosovaPress ka tentuar të marrë deklaratë edhe nga përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës, por këta të fundit nuk iu janë përgjigjur telefonatave.
Kjo rrugë është një nga arteriet kryesore të Republikës së Kosovës dhe është pjesë e drejtimit rrugor në kuadër të rrjetit bazik të transportit të Evropës Juglindore.