Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AKP-ja ua kërkon shitësve në Tregun e Gjelbër qiranë, edhe pse Qeveria premtoi ndryshe

Mehmet Ademi ka filluar punën e tij të zakonshme në Tregun e Gjelbër të Prishtinës.

Megjithatë, sikur çdo biznes tjetër, ai thotë se pandemia i ka prekur edhe tregtarët të cilët për më shumë se dy muaj me urdhër të Qeverisë pushuan aktivitetin e tyre.

Ademi thotë se atyre iu premtua lirim nga pagesa e qirasë gjatë kohës kur Tregu i Gjelbër u mbyll, por shton se ky vendim nuk është respektuar nga AKP-ja, raporton KOHA.

Ai thekson se e kanë të pamundur pagesën e faturave që Agjencia Kosovare e Privatizimit i ka dërguar në adresë të tyre.

Të tjerë tregtarë thonë se vendimi për mbylljen e tregut u erdhi papritur, gjë që pamundësoi shitjen e shumë produkteve të tyre.

Ata shtojnë se në vend të obligimeve tatimore institucionet e vendit do të duhej t’u ndihmonin për të dalë nga kriza që, sipas tyre, më së shumti i ka prekur ata.

Edhe Pas raportimit të KOHËS, Inspektorati pastron tregun, Komuna larg ndërtimit të të riut Arbëri Pas raportimit të KOHËS, Inspektorati pastron tregun, Komuna larg ndërtimit të të riut

Në një përgjigje për KTV-në, Zyra për media e AKP-së ka thënë se është duke analizuar mundësitë për lehtësim të detyrimeve të qiramarrësve.

“Të gjithë qiramarrësve u janë dërguar faturat sipas kontratës, për shkak se faturimi dhe inkasimi janë dy veprime të ndryshme. Krahas faturave, te gjithë qiramarrësit janë njoftuar edhe për vendimin e Bordit të publikuar në të gjitha mediat me datë 27 mars, me të cilin shtyhen për 3 muaj pagesat e qirave duke filluar nga data 24.03.2020. Megjithatë, AKP, në konsultim edhe me institucionet tjera të Republikës së Kosovës është duke i analizuar mundësitë dhe modalitetet ligjore dhe praktike për lehtësimin e detyrimeve të qiramarrësve ndaj NSH-ve për periudhën e mosfunksionimit apo funksionimit të pjesshëm gjatë pandemisë”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.