Agjencia Kundër Korrupsionit është kompetente për kontrollin e pasurisë për zyrtarët e lartë të të gjitha institucioneve, përveç zyrtarëve të saj.
Zyrtarëve të kësaj agjencie nuk u është kontrolluar pasuria nga Kuvendi që e ka obligim me ligj.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, ka thënë se Komisioni do t’i vlerësojë veprimet e veta lidhur me këtë çështje.
“Edhe zyrtarët e lartë të Agjencisë i nënshtrohen obligimit për deklarimin e pasurisë sipas afateve të njëjta e që është deri më datën 31 mars. Pas kësaj date, sipas nenit 13 të Ligjit nr. 04/L-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, përcaktohet afati 60-ditor që të publikohen në faqen e Agjencisë. Andaj Komisioni pas datës 31 mars do t'i vlerësojë veprimet nëse do t'i kërkojë formularët e deklarimit”, ka thënë ai.
Sipas tij, të gjitha veprimet e Komisionit do të jenë në pajtim me legjislacionin në fuqi, kurse në procedurë parlamentare është edhe pakoja ligjore ku preket edhe mandati i Agjencisë.
“Deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë shqetësim nga AKK-ja në lidhje me këtë, por meqë jemi në proces të miratimit të Projektligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, do të adresojmë të gjitha shqetësimet që ndërlidhen me këtë agjenci”, shtoi Rrustemi.
Por ky komision, sipas ekspertëve të fushës, prej vitesh nuk e ka kryer detyrën në raport me verifikimin e pasurisë së zyrtarëve të antikorrupsionit.
“Për gjithë këto vite sa ekziston Lëvizja Fol nuk e kemi parë një raport nga ky komision që ka ndodhur ndonjëherë, t’i është bërë një vlerësim ose një verifikim, ose një kontroll i plotë i pasurisë së zyrtarëve të Agjencisë Kundër Korrupsionit”, ka thënë Megi Demolli, drejtoreshë ekzekutive e FOL.
Hasan Preteni, ish-drejtor i AKK-së, thotë se për periudhën sa ishte në krye të kësaj agjencie, kjo ka ndodhur “një ose dy herë”.
“Me përvojën time nga 2010-a deri më 2016-n një herë ka ndodhur, mund të jetë maksimalisht dy herë, por nuk kemi pasur ndonjë përvojë të veçantë kur komisioni ka kërkuar që t’ua përcjellim formularët për deklarimin e pasurisë, por edhe në rastin kur i kemi dërguar nuk ka pasur ndonjë informacion kthyes, nuk e dimë çfarë ka ndodhur, a e kanë kontrolluar dhe çfarë ka ndodhur me formularët”, ka thënë Preteni.
Në Agjencinë Kundër Korrupsionit kanë thënë se janë të gatshëm për transparencë.
Sipas tyre, deputetët duhet t’i zbatojnë po ato procedura që i përdor Agjencia lidhur me deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të tjerë.
“Procedurën besoj që do të përdorte institucioni i Kuvendit të Kosovës, gjegjësisht komisioni përgjegjës për mbikëqyrjen e punës së agjencisë do të duhej të ishte i ngjashëm me ato i bën agjencia në raport me verifikimet që i bën me zyrtarët e lartë publikë të institucioneve të ndryshme d.m.th. për secilin lloj të deklarimit të kontaktojë institucionet dhe të pranojë informatat korrekte dhe këto t’i krahasojë me atë që është deklaruar”, ka thënë Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit.
E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që ka qenë kryetare e Komisionit për Legjislacion, ka pohuar se deputetët nuk e kanë pasur ekspertizën e procedura të sakta për ta bërë kontrollin e verifikimin e pasurisë së zyrtarëve të AKK-së.
“Në baza individuale, kam shikuar deklaratat e pasurisë së zyrtarëve, por nuk kam hasur ndonjë shpërputhje dhe as nuk kemi qenë të informuar për diçka të tillë”, tha ajo.
Komisioni ka bërë mbikëqyrje të plotë të punës së Agjencisë dhe nuk ka bërë dallim në fushat që mbulon Agjencia (hetim, parandalim, deklarim, konflikt interesi apo sinjalizim). Komisioni për Legjislacion i ka marrë formularët e pasurisë së zyrtarëve të lartë të Agjencisë sa herë që e ka vlerësuar të nevojshme, por që nuk kishte gjetur ndonjë shpërputhje në deklarim”.
KOHA e ka kontaktuar edhe deputetin e LDK-së, Arben Gashi, që ka qenë kryesues i Komisionit, por nuk është përgjigjur.