Komuna e Fushë Kosovës ka vendosur që Kohavisionit t’ia ndalojë qasjen në këtë komunë dhe çdo lloj komunikimi tjetër.
Ky vendim është marrë pasi KTV-ja raportoi se si një bujku të dëmtuar nga të reshurat, pavarësisht vlerësimit, nuk iu kompensua dëmi. Kundër këtij vendimi ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, sipas të cilit, kjo është shkelje e parimeve për respektimin e transparencës.
AGK-ja kërkon nga institucionet vendore që të respektojnë Ligjin për Qasje në Dokumente Publike si dhe të jenë të hapura për gazetarët.
Po ashtu thotë se Asociacioni i Komunave të Kosovës është dashur të reagojë tashmë për këtë vendim të Komunës së Fushë Kosovës. Kohavisioni ka kërkuar një përgjigje edhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, por drejtori i këtij institucioni, Sazan Ibrahimi, nuk e ka parë të arsyeshme të flasë për këtë çështje.
Ndërsa Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal thotë se komunat janë të obliguara me ligj që të bashkëpunojnë me mediat”.
Pretendimit të Komunës së Fushë Kosovës se KTV-ja ka shpifur ndaj saj, i është përgjigjur desku informativ i këtij televizioni.
“Kohavisioni raporton në mënyrë profesionale, duke dëgjuar pakënaqësitë e qytetarëve, versionin e komunës dhe varësisht nga tema edhe përfaqësuesit opozitarë”, thuhet në reagimin e deskut të KTV-së. Kjo nuk është hera e parë që mediat pengohen në punën e tyre nga institucionet publike.