Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ahmeti: Thaçi s’e ka mbështetjen e PSD-së për udhëheqës të dialogut

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi thotë se të gjitha partitë duhet t’i bashkohen atij në procesin e bisedimeve me qëllim që, sipas tij, ta marrin kreditin për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Por, kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti, thotë se Thaçi ka për qëllim që të shpërndahet faji për këtë marrëveshje. Ai ka thënë se PSD nuk do t’ia japë mbështetjen Presidentit.

Ahmeti ka mohuar mundësinë që partia e tij ta mbështesë Presidentin Thaçi për kryenegociator të bisedimeve me Serbinë, duke thënë se i gjithë ky proces është jo transparent dhe si i tillë nuk e ka përkrahjen e PSD-së.

“Ne nuk kemi asnjë informatë se çka po ndodh. Në asnjë mënyrë nuk e kanë përkrahjen tonë në këtë proces jo transparent”, ka thënë Ahmeti, raporton televizioni publik.

Ai gjithashtu ka thënë se nëse tashmë gjithçka është e vendosur, opozita nuk ka pse të shkojë në Bruksel vetëm sa për të bërë fotografi dhe për ta marrë përsipër fajin e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

“Nëse gjithçka është e vendosur, opozita s’ka pse të shkojë në Bruksel vetëm sa për fotografi dhe pastaj të shpërndahet faji për marrëveshjen përfundimtare”, është shprehur Ahmeti.