Ndonëse janë të ndaluara me masat e reja anti-COVID, ahengjet familjare vazhdojnë të mbahen. Sipas Agjencisë së Ushqimit e Veterinarisë, në vend se në salla të dasmave, ato tash po mbahen nëpër oborre. Edhe partitë politike po vazhdojnë të shkelin masat me grumbullimet e tyre në prag të fushatës për zgjedhjet lokale
As shifrat rekorde të të vdekurve e të infektuarve me COVID-19 e as kërcënimi me gjobë nuk po i bindin partitë politike dhe qytetarët që të shmangin grumbullimet e shumë njerëzve në një vend. Kosova javët e fundit është përfshirë në një valë të re të pandemisë, ku numri i rasteve aktive ka arritur në mbi 25 mijë.
Pika 31 e vendimit të Qeverisë së Kosovës ndalon veprimtarinë e klubeve të natës, si dhe ahengjet familjare. Por qytetarët tashmë festën e kanë bartur në shtëpitë e tyre. Në disa video që i ka siguruar KOHA shihen shumë qytetarë të cilët i mbajnë ahengjet e tyre në oborr, e të cilët nuk e respektojnë as distancën mes vete.
Një ditë më parë Policia Rajonale në Prizren ka njoftuar se ka ndalur dy ahengje familjare në këtë rajon dhe se pronarëve të sallave të dasmave u është shqiptuar gjobë.
Sipas zv.kryeshefit të AUV-it, Flamur Kadriu, vetëm në tri ditët e fundit në rajonin e Prizrenit janë ndalur gjashtë ahengje familjare. Por ai ka thënë se tashmë ahengjet po organizohen në oborret e shtëpive.
“Ende kemi raste kur inspektorët ndërpresin ahengjet ose dasmat. Ka raste ku qytetarët kanë vazhduar me agjendat dhe nuk i kanë ndërprerë. Shumica e tyre janë në shtëpitë e tyre, e jo në lokale të dasmave”, thotë ai.
Të shpeshta në ditët e fundit janë bërë edhe tubimet paraelektorale të partive politike.
Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat anti-COVID, grumbullimet në ambiente të hapura lejohen me 50 persona, e në ato të mbyllura me 30.
Por siç shihet edhe nga fotografitë e postuara, nga vetë kandidatët e partive politike, kjo është vështirë e realizueshme. Megjithatë, Hysen Sogojeva nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit thotë se nuk do t’i lëshojnë sallat e dasmave për shfrytëzim të partive politike.
“Asnjë parti politike në sallat e dasmave nuk do të mbahet, jemi organizuar dhe bëjmë apel që të mos ia mësyjnë sallave të dasmave, sepse nuk ka arsye që mua me ma ndal një veprimtari e me ardhë me 500 persona aty”, shprehet ai.
Tutje, Sogojeva ka thënë se janë në pritje të një takimi me zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, për t’u informuar rreth masave të reja, e që sipas tij presin se do të ketë lehtësime të tyre.
Derisa nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë thënë se nuk kanë shqiptuar ndonjë gjobë për tubime paraelektorale të partive politike, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se grumbullimet e tilla ndikojnë në rritje të rasteve të infektimeve e të rasteve të të hospitalizuarve.
MSH-ja megjithatë thekson se efekti i masave ka filluar të vërehet.
“Fatkeqësisht ende ka individë dhe subjekte të ndryshme që shkelin masat anti-COVID, që për pasojë të drejtpërdrejtë kanë ende numrin e lartë të infeksioneve me pasoja të drejtpërdrejta në jetën e qytetarëve. Ato që janë parë gjatë muajit gusht dhe në këto ditë të shtatorit si; rastet e shumta të infeksionit, ngarkesa të mëdha të spitaleve dhe personelit shëndetësor, shpenzime të mëdha në trajtimin e të prekurve dhe humbje e jetës së njerëzve”, thuhet në përgjigjen e MSh-së, dërguar KOHËS
Nga hyrja në fuqi e masave të reja e deri më 5 shtator, Policia e Kosovës ka shqiptuar gjithsej 20 mijë e 177 gjoba për qytetarët, përfshirë edhe ata që kanë shkelur masën e izolimit.