Arbëri

Agron Bajrami largohet nga KOHA pas më se 27 vjetësh

Kryeredaktori shumëvjeçar i “Kohës Ditore”, së fundi edhe shef i “Deskut” të KOHËS, Agron Bajrami, prej kësaj jave nuk është më pjesë e KOHËS. Kolegu Bajrami po largohet edhe nga gazetaria, sipas të gjitha gjasave për të vazhduar në shërbimin diplomatik të Kosovës.

Gjatë ditës është raportuar në disa media se Agron Bajrami është propozuar për ambasador të Kosovës në Bruksel. Një gjë e tillë nuk është konfirmuar as nga MPJD-ja, as nga vetë Bajrami.

Ndërkohë, largimin e tashmë ish-kryeredaktorit Bajrami nga KOHA e ka bërë të ditur drejtoresha menaxhuese e kompanisë, Flaka Surroi.

“Pas një shtegtimi shumë të gjatë dhe punës së palodhshme së bashku për t’i mbajtur besueshmërinë dhe profesionalizimin larg të gjitha presioneve dhe ndërhyrjeve nga jashtë, me marrëveshje dhe mirëkuptim i ndamë rrugët me Agronin. Që nga 25 tetori e kam liruar nga të gjitha obligimet në kompani, duke i uruar sukses në shtegtimin e ri profesional”, ka shkruar Surroi në Facebook.

Agron Bajrami ka qenë pjesë e KOHËS prej vitit 1994, fillimisht si reporter në javoren KOHA.

Në vitet 1997-1998 ka shërbyer si redaktor i kulturës në “Kohën Ditore”, ndërsa në vitet e luftës 1998-1999 ka kaluar në pozitën e redaktorit përgjegjës.

Prej vitit 1999 deri më 2004 ka qenë zëvendëskryeredaktor i gazetës, ndërsa prej vitit 2000 ka ushtruar edhe detyrën e shefit të deskut informativ të Grupit KOHA. Në dy vjetët e fundit ka qenë edhe moderator i emisionit politik “Desku” në KTV, ndërsa gjatë karrierës së tij ka qenë edhe pjesë e organizimeve profesionale vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Organizatën e Mediave të Evropës Juglindore, SEEMO.

Me largimin e Bajramit, kryeredaktore e KOHËS është emëruar zv.kryeredaktorja e deritanishme, Brikenda Rexhepi, ndërsa zv.kryeredaktor, Elmaz Isufi.