Studiuesi dhe juristi i njohur flet nga SHBA për gazetën ‘Shekulli’. Cilën rrugë duhet të zgjedhë Shqipëria për marrëveshjen e ndarjes së detit Jon me Greqinë, përse nxiton Athina, çfarë ndikimi ka marrëveshja Greqi-Itali dhe veprimet që duhet të bëjnë Dendias dhe Micotaqis, përpara se të vizitojnë Tiranën
-Z. Alibali! Rama deklaroi në Athinë se për ndarjen e detit me Greqinë duhet ose ndërhyrja e një pale të tretë, ose çuarja e çështjes në gjykatën ndërkombëtare. Ju e keni ndjekur procesin që një dekadë më parë, pas marrëveshjes së vitit 2009 dhe rrëzimit të saj në prill 2010. Sipas jush, si duhet të zgjidhet pakti detar, Shqipëri-Greqi?
Alibali: Për mospajtime të tilla Konventa UNCLOS ka përcaktuar qartë rrugët, apo forumet dhe procedurën që zbatohet. Përveç faktit se ndërhyrja e palës së tretë nuk parashikohet në Konventë, nuk besoj se ndonjë palë e tretë do të donte të përfshihej në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ndryshe qëndron puna lidhur me një forum gjyqësor ndërkombëtar. Ideja për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të delimitimit detar në Jonin Verior përmes një forumin gjyqësor ndërkombëtar – jo arbitrazhi – për mendimin tim duhet përshëndetur dhe mbështetur.
-Bisedimet mes dy vendet ngecën në vitin 2018. Përse Greqia po këmbëngul tani që ta përmbyllë marrëveshjen me Shqipërinë, pasi bëri të njëjtën me Italinë dhe Egjiptin?
Alibali: Është për të ardhur keq që, në këtë periudhë të pashembullt pandemie, kur përparësia thelbësore për çdo qeveri do të ishte shpëtimi i jetëve të njerëzve, diplomacitë përkatëse të Greqisë, Italisë dhe Egjiptit gjetën kohën dhe vëmendjen për të lidhur marrëveshjet e përmendura. Me sa duket diplomacia greke u kap gafil nga Marrëveshja Turqi-Libi e 27 nëntorit 2019 për delimitimin e shelfit kontinental dhe zonës ekskluzive ekonomike në Mesdheun Lindor. Kjo shpjegon ndofta edhe ngutjen në negocimin dhe lidhjen e marrëveshjeve të tilla. Dua të theksoj këtu se Marrëveshja Greqi-Itali për delimitimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike në Detin Jon përbën një akt jo miqësor ndaj Shqipërisë, një vendi të vogël dhe paqësor, bregdeti i së cilës laget nga ujërat e Jonit Verior. Konventa UNCLOS, më saktë Pjesa IX e saj rregullon raportet midis shteteve bredgetare që lagen nga një det i mbyllur, të cilat duhet të karakterizohen nga fryma e “bashkëpunimit”. Nuk ka asnjë të dhënë që Italia dhe Greqia të kenë ftuar Shqipërinë në negociatat e tyre, apo të jenë konsultuar me diplomacinë shqiptare sa u takon segmenteve veriore të vijës delimituese të Zonës Ekskluzive Ekonomike midis Greqisë e Italisë në Jonin Verior.,
-Disa ekspertë janë shprehur kundër dërgimit të çështjes në një gjykatë ndërkombëtare, ndërsa disa të tjerë kanë frikë nga animi progrek i një pale të tretë, në rast e kjo do të jetë Italia fqinje. Çfarë rruge duhet të ndjekë Shqipëria për këtë çështje që në fund të fundit, duhet zgjidhur?
Alibali: Sikurse përmenda më lart, Konventa UNCLOS përcakton rrugët për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në delimitimin e hapësirave detare. Greqia dhe Shqipëria janë antare të saj, pra zgjidhja vjen përmes Konventës. Kjo nuk parashikon “palë të treta”, përveç forumeve gjyqësore ndërkombëtare apo arbitrazhit. Nëse mund të flasim për “anim pro-grek”, shembulli më i mirë është Bashkimi Evropian, si dhe disa vende antare të tij. Kur kqyrim mospajtimet midis Greqisë dhe Turqisë dhe rolin e BE-së në të, nuk mund të mos vërejmë se kjo e fundit ka humbur drejtpeshimin dhe gjykimin e ftohtë e racional. Është për të ardhur keq, por BE-ja gjithnjë e më shumë po kthehet në një klub ku politikën e jashtme e bën më i madhi ose kush bërtet më fort, dhe ku vetëm këta kanë të drejtë gjithmonë dhe në gjithshka. Bashkë me ecejaket e pafund e kinse – integruese të Brukselit, kjo ndërlikon tej mase aspiratat e ligjshme të shqiptarëve për t’u integruar në BE, por nga ana tjetër fton për një reflektim, gjykim të ftohtë dhe largpamës të politikës dhe opinionit publik shqiptar lidhur me efektet afatgjata të Brexit-it dhe të ardhmen e vetë BE-së.
-Greqia vijon të akuzojë Turqinë për prishjen e marrëveshjes së 11 viteve më parë. Sa real është ky pretendim dhe çfarë interesi do të kishte Ankaraja, përveç krijimit të precedentit të zgjerimit të ujërave territorial në 12 milje, duke e nisur matjen nga ishuj që s’kanë lidhje me tokën kontinentale?
Alibali: Kam mendimin se ky është një pretendim krejt pa bazë. Marrëveshja e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese ishte bërë me ngut dhe përmes negociatave në frymën e diktatit të heshtur. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i përmasave historike dhe ka hyrë në analet e jurisprudencës vendase e më gjerë. Para se diplomacia apo politika greke të merret me të pavërteta të tilla, mire do të ishte që të ndërmerrte disa hapa tashmë tejet të vonuara, që mirëfilli do të rregullonin marrëdhëniet dypalëshe midis popujve më të lashtë të Ballkanit. Flitet për një vizitë të ardhshme të Ministrit të Jashtëm Dendias në Tiranë. Juristi i shquar nga Korfuzi dhe miku i Shqipërisë do të bënte mirë të sillte me vete në Tiranë Dekretin e Presidentes Sakellaropoulo për abrogimin ex tunc to Dekretit Mbretëror 2636/1940 për Gjendjen e Luftës me Shqipërinë. Në tetor mbushen plot 80 vjet nga nënshkrimi i atij dekreti famëkeq. Ky detyrim i pazbatuar i palës greke shkon ndesh në mënyrë flagrante me deklarimet e shumta të saj për respekt të së drejtës ndërkombëtare, për rol paqësor, për acquis communitaire, etj etj. Ku është Presidenti francez Macron, vendi i të cilit u gjend në kushte të ngjashme me Shqipërinë e pushtuar në Luftën e II Botërore? Pse nuk flet ai haptas, me twitter, apo në bisedat telefonike apo me Zoom me palën greke dhe t’i shprehë Kryeministrit Micotaqis mospëlqimin e Francës për këtë situatë absurde që pala greke duhet ta zgjidhë menjëherë? Sa për z. Micotaqis, po flitet edhe për një vizitë të ardhshme të tij në Tiranë. SIkurse edhe i jati i tij më 1991, edhe kryeministri i sotëm është i mirëpritur në Shqipëri. Por nuk mund të mos i kujtojmë z. Micotaqis se, përveç Dekretit për Gjendjen e Luftës me Shqipërinë janë edhe dy probleme të tjera kardinale që ende nuk janë zgjidhur në raportet dypalëshe. Fjala është, së pari, për të drejtat pronësore të shtetasve shqiptarë [jo çamë] dhe trashëgimtarëve të tyre në Greqi, çështje e zvarrisur pa fund, por që nuk mund të harrohet, as të anashkalohet. Dhe së dyti, çështja themelore e të drejtave të njeriut dhe e së drejtës së kthimit të minoritetit çam të Greqisë dhe të pasardhësve të tyre, që në frymën e terrorit të verbër zervist, u shtrërnguan me gjak e me hekur të lënë përkohësisht vatrat e tyre shekullore për të shpëtuar kokën në Shqipëri. Greqia vetëm do të fitonte, dhe do t’i afirmonte botës mbarë se është vërtet vend demokratik e i pjekur nëse do t’i trajtonte këto probleme me mendje të hapur e me zemër të gjerë/Shekulli.