Arbëri

Agolli thotë se u përjashtua nga Kuvendi i LDK-së, i kundërpërgjigjet Guri

Armend Agolli

Armend Agolli, i cili në faqen zyrtare të LDK-së figuron si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, ka thënë se ai dhe tre delegatë të tjerë nga Mitrovica janë përjashtuar nga pjesëmarrja në Kuvendin e LDK-së, që pritet të mbahet të shtunën. 

Ai e ka akuzuar LDK-në për përzgjedhje selektive. 

“Sot jam përjashtua nga pjesëmarrja në Kuvend, pa asnjë sqarim zyrtar. Bashkë me mua u larguan edhe 3 delegatë nga Mitrovica, si dhe disa delegatë të tjerë nga degë të tjera. Kuvendi mbahet më 31 janar dhe kur nis përzgjedhja selektive e delegatëve pa transparencë e pa kritere të qarta, procesi rrezikon me humb legjitimitetin”, ka shkruar Agolli të mërkurën në Facebook.

A ka kërkuar, siç ka thënë, “arsyetim me shkrim për largimin tonë, publikimin e listës së delegatëve dhe kritereve, trajtim të barabartë, pa presion e pa selektime politike”.

Agolli, që në zgjedhjet lokale të vitit 2021 ka qenë kandidat për kryetar të Mitrovicës nga radhët e LDK-së, ka thënë se patria forcohet me rregull e besim e jo me përjashtime.

Pas postimit të tij ka reaguar kandidati për deputet nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Paris Guri. 

Ai ka thënë se Agolli në zgjedhjet e 9 shkurtit ka dalë në përkrahje të Listës për Familje. 

Sipas tij Statuti i LDK-së parasheh që anëtarësimi në LDK fshihet nga evidenca me anëtarësimin në një parti tjetër. 

“Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Armend Agolli doli në përkrahje publike ndaj Listës për Familje, pra publikisht u bë pjesë e saj. Sot ai po thotë pse s’mund të vendosë për fatin e LDK-së. Për besë qesharake. Neni 11 e parasheh qartë, anëtarësimi në LDK pushon dhe fshihet nga evidenca, me anëtarësimin në një parti tjetër. Për LDK-në, vendos veç LDK-ja”, ka shkruar Guri në një status në Facebook, ku ka bashkëngjitur edhe një fotografi ku Agolli shihet përkrah anëtarëve të Listës për Familje. 

Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025 ka marrë 126 mijë e 133 vota, të cilat ia siguruan 15 ulëse në Kuvend apo pesë deputetë më pak se që pati në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025.

Pas kësaj, kryetari Lumir Abdixhiku ka njoftuar se do të ofrojë dorëheqjen në Kuvend dhe më pas do të jenë kuvendarët që do të vendosin nëse do ta pranojnë këtë apo jo, për çka ka nxitur kritika te disa nga figurat më të njohura të partisë.

Abdixhiku, të hënën ka ftuar delegatët që të marrin pjesë në kuvendin e kësaj partie që do të mbahet të shtunën. Derisa ka publikuar ftesën për ta, Abdixhiku ka thënë se do të diskutojnë e vendosin për të gjitha çështjet, me vullnet e votë të lirë.

Kandidaturën për kryetar të LDK-së e ka shpallur ish-kryeministri nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti.