Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës nuk ka bashkëpunuar me Këshillin Prokurorial të Kosovës në lidhje me rregulloren e re të komunikimit të mediave me Prokurorinë e Shtetit.
Rregullorja e re e cila nuk ka qenë e qasshme për media është votuar sot në mbledhjen e KPK-së.
Kryesuesi Bahri Hyseni ka thënë që kanë kërkuar nga Asociacioni i Gazetarëve mendim për këtë çështje por ata nuk janë përgjigjur. Nuk dihet se çfarë kufizimesh përmban rregullorja e re pasi që sipas Hysenit kjo rregullore do të bëhet publike pas 20 ditësh për shkak të çështjeve teknike.
Megjithatë në draft rregulloren në të cilën para disa javësh ka pasur qasje gazeta “Koha Ditore”, KPK-ja do të kufizojë edhe më shumë komunikimin me media.
Sipas draftit asnjë informatë tash e tutje proceduralisht nuk mund të dalë në media pa miratimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Çdo pyetje që gazetarët do të drejtojnë në secilin nivel të Prokurorisë së Shtetit, zyrtarët përgjegjës ta njoftojnë Kryeprokurorin e Shtetit.
Deri tani mediat kanë pasur mundësi të marrin prononcime direkt nga kryeprokurorët e prokurorive themelore pa miratimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Nuk dihet nëse drafti që e ka parë gazeta ka ndryshuar nga versioni që është votuar sot.
