Numri total i vizitorëve të jashtëm që kanë hyrë në territorin e Kosovës gjatë periudhës janar - dhjetor 2024 ishte 6 milionë e 938 mijë e 227, bazuar në të dhënat e grumbulluara nga pikat kufitare, ka njoftuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) të premten.
ASK-ja bëri të ditur të dhënat në kuadër të hulumtimit të Hotelerisë dhe Turizmit.
“Numri i net-qëndrimeve ishte 1 milionë e 522 mijë e 890, prej tyre 45,6% nga vendorët dhe 54,3% nga të huajt”, thuhet në tabelën e prezantuar nga agjencia.
Sipas ASK-së, më shumë vizitorë kishte në vitin 2024 sesa në vitin 2023.
“Në vitin 2024, numri i vizitorëve vendorë është rritur për 4,2% në raport me vitin 2023, kurse net-qëndrimet vendore janë ulur për (-13,2%). Ndërsa, ka rritje të vizitorëve të jashtëm për rreth 18,3%, kurse net-qëndrimet e tyre janë rritur për 10,9% në raport me vitin paraprak”, thuhet në njoftim.
Sipas ASK-së, numrin më të madh të vizitorëve të brendshëm e ka rajoni i Prishtinës me 205,405 vizitorë, ndërkaq numrin më të madh të net-qëndrimeve e ka rajoni i Pejës me 591 mijë e 673 net-qëndrime.
ASK-ja ka thënë se sa u përket vizitorëve të huaj, krahasuar me periudhën paraprake (2023), ka rritje të vizitorëve për 18,3%.
“Në total ishin 423 mijë 282 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh është nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra, Turqia etj”, thuhet në njoftim.