“Tjetër marrëveshje e madhe! Si arriti presidenti Trump të bëjë bashkë Serbinë e Kosovën”. Kështu nis shkrimi në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë në vazhdën e mburrjes për marrëveshjen Kosovë – Serbi, e nënshkruar javën e shkuar në Washington.
Teksa kanë kaluar pesë ditë nga marrëveshja për “normalizim ekonomik”, Shtëpia e Bardhë të martën ka publikuar një tjetër shkrim përmbledhës për ngjarjen duke e cilësuar edhe si “marrëveshje e madhe për paqen”, të arritur nga presidenti amerikan Donald Trump.
“Presidenti Trump u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, të premten në Shtëpinë e Bardhë, ku liderët njoftuan për një zotim historik për normalizim ekonomik mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në përshkrim.
“Duke u fokusuar në krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik, dy shtetet arritën një marrëveshje të madhe – diçka që askush s’ka menduar se ishte e mundshme”, ka thënë Trumpi.
“Administrata presidentit Trump ka arritur së fundmi disa marrëveshje të rëndësishme për paqen. Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë vjen pak javë pas marrëveshjes tjetër të rëndësishme mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe”, thuhet tutje në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Në këtë shkrim po ashtu theksohet se Hoti dhe Vuçiqi kanë falënderuar Trumpin dhe ekipin e tij për përkushtimin për paqe dhe stabilitet në rajon, ndërsa është përmendur edhe deklarata e Trumpit që ka thënë se do t’i vizitojë një ditë të dy shtetet.
Edhe
4 vjet nga Marrëveshja e Washingtonit
Në këtë marrëveshje u bë e ditur po ashtu se Izraeli do ta njohë Kosovën si shtet.
Teksa kjo marrëveshje është lavdëruar nga koalicioni qeverisës në Kosovë, opozita e ka kritikuar.