Arbëri

Abrashi: Programi i partive opozitare, i realizueshëm për një mandat të plotë

Emir Abrashi

Emir Abrashi, analist i politikave në organizatën “Demokracia Plus”, ka thënë se programi i partive opozitare duket i realizueshëm për një mandat të plotë.

Megjithatë, ka theksuar se në përgjithësi premtimet gjatë fushatës elektorale janë të dëgjuara më parë dhe tingëllojnë vështirë të realizueshme. Shqetësues, ka shtuar ai, është programi i partisë fituese aktuale që sipas tij ka realizuar shumë pak nga zotimet që ka dhënë.

“Në përgjithësi janë premtime që i kemi dëgjuar më herët, premtime që nganjëherë mund të tingëllojnë vështirë të realizueshme. Megjithatë, ka një dozë të realizmit në mënyrën se si mund të realizohen këto. Janë goxha konkrete programet e opozitës dhe mund të thuhet se për një mandat të plotë të realizueshme. Programi i LDK-së është bukur voluminoz, nuk janë gjëra që janë pamunudr të parelaizueshme nëse ekziston vullneti. Shqetësuese është nga programi fitues i vitit 2021, shumë pak nga ato janë realizuar në realitet”, ka thënë ai.


Baraliu: Premtimet e partive, joreale

Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka thënë se premtimet e partive politike gjatë kësaj fushate zgjedhore janë kryesisht joreale.

Baraliu gjatë një interviste në “Zgjedhjet në KOHË” ka vlerësuar se ende po mbizotëron atmosferët korrekte mes partive politike.

“Paraqitje shumë dinamike e partive, me intensitet, me frymë mobilizuese, por me premtime kryesisht joreale. Gjërat që janë thënë edhe më herët gjatë cikleve zgjedhore. Në tërësi, megjithatë, ende ka atmosferë korrekte. Para elektoratit, partitë duhet të përqendrohen të tregojnë se çfarë planifikojnë të bëjnë. Ajo që çka kanë ofruar, s’po them premtuar, lë për të konkluduar se secila parti ka një strategji, një dizajn e mobilizim të PR-it ekspresionist. Me diasporën po ashtu janë aktivizuar, kanë treguar frymë mobilizuese edhe jashtë vendit që mund të ketë ndikimin në peshën e rezultatit aktual”, ka thënë ai.


Palokaj për gjuhën në fushatë: Po tejkalohet niveli i mirësjelljes

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, derisa ka folur për gjuhën e përdorur në fushatën parazgjedhore, ka thënë se po tejkalohet niveli i mirësjelljes. 

Në një lidhje direkte emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, Palokaj ka thënë se partitë politike duhet të tregojnë pjekuri më të madhe kur atakojnë njëra-tjetrën.

“Në përvojën time mbi 30 vjeçare kam përcjellë fushata nëpër tërë Evropën, nga Gjermania, Britania, Belgjika, Kroacia disa herë, Bosna pas luftës, Shqipëria në kohën e trazirave, sidomos me disa akuza të rënda për tradhti e kështu me radhë. Por gjithsesi, partitë politike të gjitha këto nuk i bëjnë rastësisht, nuk I bëjnë nga mosdija, i bëjnë më shumë me paramendim, pra e kanë zgjedhur një taktikë të tillë dhe llogarisin se qytetarët do t’iu besojnë gjithçka në fushatë politike, ka të bëjë me atë se sa bindës do të jenë para atyre votën e të cilëve e kërkojnë. Prandaj, besoj se do të kemi një fushatë të tillë deri në fund. Partitë politike do të duhet të tregojnë një pjekuri më të madhe kur atakojnë njëra-tjetrën”, ka thënë ai. 

Megjithatë, sipas Palokajt, edhe në demokracinë më të madhe në botë, në Shtetet e Bashkuara, në kohë fushate kanë humbur vlerat e mirësjelljes që kanë ekzistuar më parë.