Arbëri

Abdixhiku: Pati lëshime të mëdha në procesin e dialogut

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se janë bërë lëshime të mëdha mbi procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Pas mbledhjes së mbajtur të martën nga Kryesia e kësaj partie, Abdixhiku ka thënë se është diskutuar për zhvillimet e fundit politike, kryesisht mbi temën e dialogut, për të cilin thotë se lëshimet po shndërrohen në kushte obligative integruese për vendin.

Sipas tij, gjithashtu është humbur mundësia për avancim substancial të pozicionit shtetar të Kosovës.

“Sot, mbajtëm mbledhjen e radhës së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Diskutuam për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë mbi temën e dialogut dhe lëshimet e mëdha të bëra në këtë proces. Këto lëshime, përveç se humbje e një mundësie për avancim substancial të pozicionit shtetar të Kosovës, tashmë po shndërrohen dhe në kushte obligative integruese për vendin tonë; adaptimi me të cilat do të jetë sa i pashmangshëm aq edhe sfidues”, ka shkruar ai në Facebook.