Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova s'duhet të jetë peng kolektiv “i një çmendurie politike populiste”, duke njoftuar se të mërkurën i ka mbledhur strukturat udhëheqëse të pesë degëve të partisë.
Ai ka shkruar në Facebook se Kosova ka nevojë për zhvillim e maturi.
“Se ky vend, s’duhet të jetë peng kolektiv i një çmendurie politike populiste që nxitë vetëm frikë, zymtësi e tension. Ne kemi nevojë për zhvillim. Kemi nevojë për maturi. Kemi nevojë për rrugëtim euroatlantik. Kosova ka nevojë për ‘Rrugën e Re’- programin më ambicioz politik në vend. Në momente kritike politike, aktivizimi ynë politik bëhet domosdoshmëri. Në momente kritike politike, mbështetja për LDK-në është domosdoshmëri”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas tij, rritja e LDK-së dhe punët e mbara të saj “i ka vënë kundërshtarët përballë”. Ai ka përmendur edhe qeverisjen e Përparim Ramës në Prishtinë.
“Natyrisht, përbashkimi ynë, rritjet tona, punët e mbara që i bëjmë, na i vënë kundërshtarët përballë. Aty bëhen të gjithë bashkë kundër nesh; sikurse tash, sikurse bëheshin gjithherë. Aty provojnë besimin e votuesve të kryeqytetit për LDK-në, ta rrëmbejnë në tavolinë. Çfarë s’kuptojnë është se koha e një politike të tillë ka marrë fund! Nuk do t’i lëmë ta bëjnë këtë politikë model në Prishtinë”, ka shkruar deputeti i partisë opozitare.
Për takimin me strukturat, kreu i LDK-së ka shtuar se janë mbledhur për organizim të gjerë partiak.
Për prishje të raporteve me aleatët, Qeverinë Kurti të mërkurën e akuzuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria po i jep kahje të rrezikshme vendit.