Arbëri

Abdixhiku: Kosova me trend të sheshtë të lakores së koronavirusit – të vazhdojmë të kujdesemi edhe më shumë

Foto: Alban Bujari/ Koha Ditore

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se lajmi më i rëndësishëm në këtë periudhë të pandemisë me koronavirusin COVID-19 është se vendi ynë vazhdon të ketë trend të sheshtë të lakores.

Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se rritmi i rritjes s’është eksponencial dhe se beteja sot nëpër botë bëhet “mu për këtë lakore; që ajo të jetë sa më e rrafshët, sa më e sheshtë, sa më pak e pjerrët”.

“Jemi duke i krahasuar vazhdimisht të dhënat me rajon. Kosova vazhdon të ketë numrin më të ulët të rasteve me COVID-19. Por ky s’është lajmi thelbësor. Lajmi më i rëndësishëm është se vendi ynë vazhdon të ketë trend të sheshtë të lakores. Pra rritmi i rritjes s’është eksponencial. E beteja sot nëpër botë bëhet mu për këtë lakore; që ajo të jetë sa më e rrafshët, sa më e sheshtë, sa më pak e pjerrët”, ka thënë ministri në detyrë.

Ai thotë se masat e marra me kohë nga Qeveria – para shumë shteteve të tjera në Evropë e po se po edhe këtyre në rajon – bashkë me sjelljen kolektive të qytetarëve të Kosovës, duket se po japin rezultat. Për këtë ai tha se duhet falënderuar “secilin prej jush”.

“Por kjo nuk thotë asgjë nëse s’vazhdojmë të kujdesemi edhe më shumë. Shumë vende e shtete nëpër botë e kanë humbur betejën në një ditë. Po ndalëm hapin na pret e njëjta gjë. Prandaj na duhet një raund kujdesi final, në atë që ekspertët më të mirë të shtetit po e quajnë periudhë kritike. T’i dëgjojmë. Shmangini vizitat familjare, rrugëtimet pa nevojë e daljet e jourgjente. Jemi në një kohë të pazakontë, por na duhet një veprim krejt i zakonshëm - qëndrimi në shtëpi. Edhe pak; durim. S’na ka mbetur shumë. Do të kemi kohë për të gjitha”, theksoi ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku.

Image