Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abazi-Kurtit: Këtu ndahen rrugët tona

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka deklaruar se në raport me dialogun me Serbinë, i ka ndarë “rrugët” me kryeministrin Albin Kurti, derisa e ka akuzuar se e ka pranuar themelimin e “Zajednicës”.

Abazi ka shkruar në Facebook të martën se deklarimet e Kurtit janë “hipokrizi par-excellence”, ndërsa për marrëveshjen e diskutuar në Bruksel, ka thënë se ka “elemente fundosëse për Kosovën”.

“D.m.th, z. Kurti ju jeni vazhdimësia e së kaluarës, ju nuk jeni ndryshimi. Luftën për të eliminuar njerëzit potencialë për të udhëhequr me vendin ata e bënë me tytën e pushkës dhe revoles, duke i dërguar në varr. Ju keni adoptuar luftën speciale, ushtrinë e Facebook-ut dhe rrjetet sociale për të eliminuar, këdo që nuk i nënshtrohet liderit suprem. E ke rrethuar veten me njerëzit e pushteteve të kaluara, me vepra penale, nënshkrues të demarkacionit dhe marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. Ke përjashtuar aktivistët dhe përkrahësit më të devotshëm dhe po i mbron e po i mban afër njerëzit e korruptuar, ata që e shkatërruan urbanizmin, privatizuan e përfituan, dhanë leje për kompensim me vila”, ka thënë Abazi.

Sipas Abazit, Kurti ka bërë përmbysje “duke e konfirmuar se është produkt i luftës së eliminimit". Ndër të tjera, Abazi ka thënë se humbja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet lokale të 2021-s, është faturë e papaguar e Kurtit.

“Në takimin e fundit para zgjedhjeve lokale i the grupit parlamentar: qetësisht po presim fitoren në zgjedhjet komunale për të marrë në dorë pushtetin që siguron ndryshimin e njerëzve. Dështimi në zgjedhjet lokale është fatura jote e papaguar! Në të ashtuquajtura zgjedhje të brendshme ju keni treguar qëllimin përfundimtar, ata që kanë kurriz e integritet gjejeni formën për t‘i lënë jashtë me çdo kusht qoftë edhe duke u kujdesur që personalisht të caktoni diagnoza për të anatemuar dhe stigmatizuar e më pastaj me profilet e ushtrisë fiktive online të shkatërrohen politikisht. Kokat e turkut të janë dashur për të mbuluar dështimin. Kjo mund të bëhet nga një mendje e korruptuar me fajllat e komunistëve. Servilët janë në rregull- Kadri Hazbiu, Beqir Balluku… Jo”, u shpreh deputeti i VV-së.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, është intervistuar nga Prokuroria Speciale javën e kaluar për rastin e zhdukjes së mostrave të ish-aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari. Ai ka thënë shkurtimisht se çështja tash i takon Prokurorisë, ndërsa s’ka folur konkretisht nëse ka deponuar ndonjë provë për dëshmitë e tij në rastin “Dehari”.

Ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka urdhëruar që Kuvendi ta kërkojë shkarkimin e Abazit nga pozita e Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe largimin nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asocim BE-Kosovë.

Sipas Abazit, kërkesa për shkarkimin e tij nga komisionet është bërë “pikërisht shkaku i guximit të tij për të hapur tema të rëndësishme”.

Artikuj të ngjashëm