Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abazi: Ka shpresa që deri në fund të vitit të marrim përgjigje pozitive për liberalizimin

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë janë takuar me ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me të cilin kanë biseduar rreth çështjes së liberalizimit të vizave.

Pas takimit, kryetari i komisionit, Haki Abazi, tha se ka shpresa që deri në fund të vitit Kosova të marrë përgjigje pozitive sa i përket dinamizmit të procesit të liberalizimit të vizave.

“Ambasadori ka konfirmuar pozicionin e presidentit Macron dhe të Trekëndëshit të Vaimarit të shprehur në qershor për qëndrimin në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe natyrisht me një prapashtesë sepse ka disa shqetësime që duhen të adresohen. Ky është formulimi i saktë që kemi biseduar sot. Kemi argumentuar në nivelin e asaj se çfarë do të thotë për qytetarët e Kosovës që ky proces të ketë qartësinë e plotë. Kemi marrë përgjigje gjithashtu, është një klub i shteteve të Bashkimit Evropian që po bën negociata për të gjitha aspektet, përfshirë edhe ETIAS-in si sistem i cili jo domsdoshëmërisht e prek vetëm Kosovën. Sërish kemi argumentuar në nivelin e asaj se çfarë qytetarët kosovarë presin nga ky proces, ajo që është thënë sot është se ky proces do të vazhdojë dhe ka shpresa që deri në fund të vitit të marrim përgjigje pozitive sa i përket dinamizmit të procesit të liberalizimit të vizave”, tha Abazi.