Kreu i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se nuk ka nevojë për zhvlerësim të marrëveshjes ndërkombëtare për Asociacionin e komunave serbe, mirëpo duhet qartësi për statutin, në linjë me rekomandimet e Kushtetueses.
Tahiri shkroi në Facebook se vendit i duhen pozicione të qarta e unike lidhur me themelimin e Asociacionit, derisa ka publikuar dhjetë pika që sipas AAK-së, duhet konsideruar.
Ai shkroi se Asociacionit nuk mund të jetë strukturë mbikomunale, as një etnik, duke rrezikuar karakterin multientik të Kosovës.
“Asociacioni nuk mund ta minojë rolin kushtetues në shtetin dhe sistemin politik e qeverisës në vend. Të punësuarit nuk mund ta minojnë të jenë shërbyes publikë, ngase atëherë kjo duhet të akomodohet si strukturë/nivel qeverisës”, ka shkruar tutje deputeti Tahiri.
Sipas tij, për çështjet e interesit nacional nuk duhet të ketë dallime.
Të enjten, në emisionin DESKU të KTV-së, ish-kryeministri Isa Mustafa tha të ketë gjithsej dy alternativa për Qeverinë, meqë Asociacioni parashihet me marrëveshje ndërkombëtare, të ratifikuar nga Kuvendi.
“Vendit i mbeten dy zgjidhje: Ose duhet të mblidhet Kuvendi dhe ta abrogojë ose ta anulojë Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së parë me mbi 80 vota, me dy të tretën e votave, dhe mandej ne nuk kemi obligime juridike që ta bëjmë atë, ose duhet të punohet që të implementohet ligji për marrëveshjen e parë”, u shpreh Mustafa.