Arbëri

Mustafa në DESKU: Asociacioni obligim i Kosovës; pishman që Veliu u bë ministër

Ish-kryeministri Isa Mustafa thotë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim i Kosovës, të cilit nuk mund t’i shmanget.

Ai thotë të mos ketë alternativa shumë, meqë Asociacioni parashihet me një marrëveshje që e ka ratifikuar Kuvendi.

“Vendit i mbeten dy zgjidhje: Ose duhet të mblidhet Kuvendi dhe ta abrogojë ose ta anulojë Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së parë me mbi 80 vota, me dy të tretën e votave, dhe mandej ne nuk kemi obligime juridike që ta bëjmë atë, ose duhet të punohet që të implementohet ligji për marrëveshjen e parë”, thotë ai.

Në një intervistë dhënë për emisionin DESKU, ish-kryetari i LDK-së ka folur për qeverisjen, për rezultatin e LDK-së në zgjedhjet e fundit dhe për shkaqet që prodhuan rënien dhe ringritjen e kësaj partie.

Nga perspektiva e tashme, Mustafa e ka pranuar se ishte gabim vendosja e Agim Veliut ministër.

“Ndoshta nuk është dashtë që ta bëjmë atë. Nuk është dashtë. Sepse z. Veliu ka dhënë një kontribut të madh në Podujevë. I ka fituar zgjedhjet disa herë atje. Ka qenë nënkryetar i LDK-së. Është themelues i LDK-së. Tash ndaj z. Veliut për një periudhë të gjatë është zhvilluar një fushatë mjaft e egër ndaj tij siç është zhvilluar edhe ndaj meje, mirëpo unë konsideroj që po që se nuk do të tërhiqej z. Veliu nga atje, ne do ta kishim edhe sot Komunën e Podujevës të fituar”, është shprehur ai.

Mustafa ka kritikuar opozitëbërjen e partisë, kryetar nderi i së cilës është, e po kështu ka argumentuar se LDK-ja si parti nuk do të mund ta fitonte vetë Prishtinën.