Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të presë certifikimin e rezultateve për të marrë një vendim lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri.
AAK-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit kishte garuar me kryetarin e saj si kandidat për president. Por partia e Ramush Haradinajt në këto zgjedhje mori mbi 7 për qind të votave, bazuar në rezultatet preliminare. Zgjedhjet i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje që me kandidimin e Vjosa Osmanit për presidente arriti në mbi 47 për qind të votave.
Të premten, Kryesia e AAK-së dhe kryetarët e degëve kanë mbajtur një takim në të cilin, siç është thënë në një komunikatë për media, kanë vlerësuar lartë procesin zgjedhor duke e cilësuar atë si njërën ndër të arriturat më të mëdha të demokracisë në vend.
“Këto zgjedhje i kanë dhënë një avantazh Kosovës edhe në planin e brendshëm edhe në planin ndërkombëtar. Në këtë takim të strukturave më të larta të AAK-së, u konstatua se Kosova tashmë duhet të shkojë tutje në kapërcimin e sfidave të saj që janë; liberalizimi i vizave, integrimet euroatlantike dhe marrëveshja për njohje të ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë. Për t’ju hapur rrugë këtyre objektivave, Kosova e ka të domosdoshme krijimin e institucioneve si rezultat i zgjedhjeve të 14 shkurtit, duke përfshirë këtu krijimin sa më parë të Parlamentit, votimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit”, është thënë në një komunikatë për media për këtë takim, në të cilin s’janë dhënë detaje për çështjen e votimit për postin e presidentit.
Megjithatë, në një sqarim të shkurtër për KOHËN, nga AAK-ja kanë thënë se kjo temë “vjen pas certifikimit të rezultateve”.
Për të zgjedhur presidentin e ri, në dy raundet e para të votimit kërkohet që të zgjidhet me dy të tretat e deputetëve, apo 80 vota. Në të tretin raund kërkohen 61 vota, por me kushtin që 80 deputetë të marrin pjesë në votim. Nëse në votimin e tretë asnjë kandidat nuk zgjidhet president, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja. Sipas rezultateve aktuale, Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese, ka siguruar 56 ulëse. Bashkë me minoritetet (20 ulëse), asaj i duhet prania edhe e një subjekti tjetër në sallë për të zgjedhur Osmanin presidente.