Në mbledhjen e Kryesisë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë të enjten se po mobilizohet për aktivitete masive me mesazhe për zgjedhjet parlamentare.
Në një komunikatë për media, kreu i partisë, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se “Kosova po e humb hapin nga qeveria, e fokusuar në fitore të vogla”. E sipas tij, fitore e madhe do të ishte nëse Kosova do ta merrte ftesën për anëtarësim në NATO.
“Kryetari Haradinaj, duke folur për zhvillimet politike tha se Kosova është duke humbur hapin për shkak se qeveria aktuale është e fokusuar në ato që mund të cilësohen si fitore të vogla dhe e ka humbur fokusin nga fitoret e mëdha, që janë jetike për të ardhmen e vendit. Ai tha se fitore e të gjitha fitoreve do të ishte sikur Kosova ta merrte ftesën për anëtarësim në NATO, në samitin e madh historik që do të mbahet në muajin korrik, në 75-vjetorin e NATO-s”, thuhet në njoftimin e partisë opozitare.
AAK-ja ka bërë të ditur se ka aprovuar një plan veprues për 2024-n, nëpërmjet tri fazave.
“Ky plan ka për synim mobilizimin e të gjitha potencialeve njerëzore të Aleancës, si dhe vendosjen e një standardi të zbatimit të obligimeve të marra dhe raportimit të rregullt brenda strukturave. Plani parasheh që në fazën e parë të intensifikohet komunikimi i brendshëm në të gjitha nivelet e organizimit partiak. Ndërsa gjatë fazës së dytë, rëndësi të veçantë do t’i kushtohet komunikimit me kuadro të profilizuara për sektorë specifik, në nivel komunal dhe qendror. Faza e tretë, do të përfshijë aktivitetet masive të frymës dhe mesazhit për zgjedhjet parlamentare”, thuhet tutje.
AAK-ja e Nisma javë më parë kanë nënshkruar koalicion parazgjedhor.