Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AAK-ja kërkon front të përbashkët opozitar kundër Kurtit

aak

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se do të ishte mirë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të garonte fronti i përbashkët opozitar kundër Vetëvendosjes.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, në Interaktiv të KTV-së të enjten ka thënë se megjithatë, tek opozita ka hezitim duke marrë shembull PAN-in (PDK, AAK, Nisma) që nuk pati marrë përqindje shumë të madhe si bashkim.

“Jemi për një front të përbashkët opozitar. Do të ishte përgjigja më e madhe. Ka hezitim, pasi PAN-i si koncept ka qenë goxha problematik dhe s’ka prodhuar votë të madhe. Më 2017, PAN-i i ka pasur 39 deputetë. Mirë do të ishte sepse do të matej opozita dhe VV-ja në anën tjetër”, ka thënë ai.

AAK-ja tashmë ka marrëveshje koalicioni me Nismën Socialdemokrate dhe disa parti të tjera. Sipas Tahirit, koalicioni AAK-Nisma në zgjedhjet e ardhshme “do t’i marrë 20 për qind”.

Vetëvendosje është në vitin e fundit të mandatit. Ajo udhëheq si e vetme pasi në zgjedhjet e fundit parlamentare, më 2021, fitoi mbi 50 për qind të votave.