Temperaturat e larta që kanë prekur shumë vende të Evropës, kanë rikthyer një nga shqetësimet e shpeshta në Kosovë rreth rrezikut nga mungesa e sasisë së mjaftueshme të ujit të pijshëm për popullatën e këtushme.
Vala e nxehtësisë, po parashihet të përfshijë edhe Kosovën. Në raste të tilla kur stina e verës karakterizohet me temperatura të larta e reshje të pakta shiu, kryesisht mund të sjellë si pasojë rënien e nivelit të ujit në liqenet akumuluese në vend, duke shkaktuar reduktime në furnizimin me ujë të pijshëm në disa zona.
Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila, krahas hartimit dhe zbatimit të politikave dhe legjislacionit, është përgjegjëse për menaxhimin e resurseve ujore në Kosovë, nuk kanë dhënë asnjë detaj lidhur me gjendjen dhe rezervat e ujit në vend.
Megjithatë, një pasqyrë për gjendjen e kanë dhënë në Shoqatën e Ujësjellësve të Kosovës (SHUKOS), e cila është organizatë joqeveritare e kompanive të ujësjellësve.
Kryetari i Bordit të SHUKOS-it, Muhamed Suliqi, tha për Radion Evropa e Lirë, se përveç komunës së Gjilanit, e cila ka probleme me rezervat e ujit, në zonat tjera të Kosovës gjendja është stabile dhe nuk ka rrezik për ndonjë krizë të afërt të mungesës së ujit të pijshëm.