Në pritjen e organizuar në Bashkësinë Islame të Kosovës për festën e Bajramit të Madh kanë shkuar zyrtarë të lartë partiakë e shtetërorë.
Ata i priti Myftiu Naim Tërnava.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka uruar Myftiun e Kosovës Naim Tërnavën për Bajramin e Madh, raporton KTV.
Haradinaj me këtë rast ka qëndruar në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe ka shprehur urimet për këtë festë .
“Përgëzojmë për këtë ditë, e gëzofshim të gjithë. Njëkohësisht shprehim mirënjohje për ata që kanë agjëruar”, ka thënë ai.
Në pyetjen se a e ka falur sot Bajramin, Haradinaj ka thëne se Myftiu e ka bërë këtë edhe për të.
Edhe kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti ka uruar Naim Tërnavën.
“Jemi këtu për t’ua uruar festën. Ua urojmë të gjithë besimtarëve këtë festë të pastërtisë dhe gëzimit e cila vjen pas muajit të Ramazanit. Është festë e solidaritetit dhe vetëm kur festojmë bashkë është kuptimplote”, ka thënë ai.
Edhe nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka uruar Tërnavën.
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka marrë pjesë në pritjen që e ka organizuar për Bajramin e Madh myftiu i Kosovës Naim Tërnava.
“Populli ynë ka qenë çdoherë solidar. Sot është ditë e veçante për besimtarët tanë është dita e gëzimit dhe bashkimeve tona familjare. Ju bëj thirrje të ndihmoni njëri – tjetrin dhe vizitoni familjet që kanë nevojë për ndihmë”, ka thënë Veseli me këtë rast.