Arbëri

Asnjë rezultat nga kërkimet dyditore për gjetjen e dy policëve të zhdukur në lumin Lepenc

Pandërprerë po vazhdon kërkimi i dy policëve të zhdukur Malsor Dashi dhe Armend Trena, pas aksidentit dhe rënies së veturës në Lumin Lepenc.

FSK-ja po kryen kërkimin deri në kufi me Maqedoninë. Ndërsa edhe në anën tjetër të kufirit janë duke u bërë kërkimet nga një ekip, që është krijuar nga shteti maqedonas, raporton KTV.

Shumë qytetarë i janë bashkuar aksionit për gjetjen e dy policëve.

Në vendin ku njësitë e FSK-së janë duke bërë kërkimin e dy policëve të zhdukur ka qëndruar komandanti i FSK-së, Rrahman Rama.

Gjithashtu, Rama ka shtuar se janë në koordinim me autoritetet e Maqedonisë për kërkimet në zonën maqedonase.

Ai ka thënë se FSK-ja nuk do ta ndalë kërkimin deri në gjetjen e policëve.

Në kërkim andej kufirit është edhe Shoqata e Bjeshkatarëve ekologjike e Shkupit.

Të shtunën në mbrëmje, pas aksidentit në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit, dy policë janë zhdukur pas rënies me veturë në lumin Lepenc.

Policia e Kosovës ka thënë se ende nuk dihen shkaqet e aksidentit.