Arbëri

Haradinaj sërish shkel kriteret, emëron persona politikë në Bordin e “Trepçës”

Qeveria e Kosovës ka shkelur kriterin për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit mbikëqyrës të “Trepçës”, pasi në mbledhjen e së mërkurës ka emëruar dy persona politikë në Bordin e kësaj ndërmarrjeje.

Edhe pse në konkurs thuhet se “kandidat nuk mund të zgjidhet personi që është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36-mujore para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës, ose vendimmarrës në një parti politike, ose është anëtar i forumeve të partive politike”, Haradinaj ka emëruar asamblistin e AAK-së në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës, njëherësh kandidatin për kryetar të Komunës nga kjo parti, Esat Peci, në Bordin e kësaj ndërmarrjeje. Ai ka emëruar edhe ish-kandidatin për asamblist në zgjedhjet e fundit nga radhët e Nismës në Mitrovicë, Feriz Fetahu, shkruan Koha Ditore.

Qeveria ka emëruar vetëm 6 nga 9 anëtarë të Bordit mbikëqyrës të “Trepçës”, duke lënë tri pozita të hapura për komunitetin serb, për të cilat konkursi do të hapet brenda disa javësh.

I kontaktuar nga gazeta, Esat Peci ka thënë se një ditë më parë ka hequr dorë nga posti i asamblistit dhe se të qenit anëtar i një partie politike, sipas tij, nuk do të duhej të pengonte emërimin në këtë bord, pasi, siç ka thënë, ai i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara në konkurs... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)